Manastirliu kërkon ndihmën e bashkive për vaksinimin e qytetarëve

Shqipëria

Manastirliu kërkon ndihmën e bashkive për vaksinimin e qytetarëve

Më: 8 tetor 2021 Në ora: 17:42
Ogerta Manastriliu

Nga sot në ndihmë të autoriteteve shëndetësore për të bindur qytetarët të marrin vaksinën do renditet edhe pushteti lokal. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e nisi këtë fushatë të re nga Fieri në krah të kryebashkiakut Armando Subashi. Ajo tha se paralelisht me vaksinimin kundër COVID, do të nisë edhe vaksinimi kundër gripit.

“Jemi duke u përgatitur për vaksinimin kundër gripit paralelisht me vaksinimin kundër COVID. Ka filluar kjo fazë e re me organizimin territorial dhe përfshirjen e të gjitha bashkive në vendin tonë. Qeveria është këtu për t’u kujdesur për çdo qytetar që nuk ka mundësi të shkojë deri në qendrën shëndetësore. Java që vjen do jetë javë aksioni për vaksinimin e studentëve dhe të rinjve”, u shpreh ministrja.

Ajo u shpreh se do të rritet numri i vaksinatorëve në mënyrë që të garantohet funksionimi i qendrave të lëvizshme. Manastirliu bëri apel që vaksina të mos lihet për më vonë pasi edhe ata që nuk janë të rriskuar, mund të bëhen burim infeksioni për të tjerët.

“Do të jemi aty me strukturat e shëndetësisë si kemi qenë deri tani me mjekët e familjes dhe vaksinatorët tanë. Do rrisim numrin e vaksinatorëve që njësitë e lëvizshme të kenë mundësi të fuqizohen  për të mundësuar shpërndarje më frekuente. Është shumë e rëndësishme përfshirja juaj. Drejtuesit lokalë janë të rëndësishëm ashtu si ju jeni zëri i tyre. Duhet që të transmetoni këtë punë të madhe që po bëhet dhe këtë nevojë për t’u vaksinuar dhe për të shpëtuar jetë.

Askush nuk mund ta lërë për më vonë dhe kushdo që mendon që vaksina mund të bëhet edhe më vonë, është një risk për atë që është pranë tij. Tim und të jesh i mbrojtur por familjarët e tu ende nuk janë të mbrojtur. Ne do jemi në çdo fshat dhe zonë të largët por duke intensifikuar përpjekjet dhe duke pasur në krah bashkitë, Duke filluar nga Fieri sot dhe duke mos ndalur çdo ditë. Unë do jem këtu bashkë edhe me kryetarët e bashkive. Aksion kombëtar për mbrojtjen e jetës”, deklaroi ajo

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat