Kuvendi e shkarkoi! Kushtetuesja bën lëvizjen e parë për Metën

Shqipëria

Kuvendi e shkarkoi! Kushtetuesja bën lëvizjen e parë për Metën

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 15:28
Ilir Meta

Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim vendimin e Kuvendit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga posti i kreut të shtetit. Në njoftim kushtetuesja thekson se çështja do të kalojë në seancë publike, ndërsa data e saj do të caktohet në përputhje me rregullat proceduriale të Gjykimit Kushtetues.

Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë nr.55/2021, datë 09.06.2021 “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”.

Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese me shkresën nr.1368 prot., datë 14.06.2021 të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë gjykatë në datën 14.06.2021, me numër të Regjistrit Themeltar 6 (K) 2021.

Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, në bazë të nenit 18, pika 1, shkronja “b”, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, bazuar në nenin 62 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues.

Kujtojmë se në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat