Apeloi vendimin, caktohet seanca për ish-drejtorin e RTSH

Shqipëria

Apeloi vendimin, caktohet seanca për ish-drejtorin e RTSH

Më: 22 tetor 2021 Në ora: 16:04
Thoma Gëllçi

Më 29 tetor është caktuar seanca në apelin e GJKKO për ish-drejtorin e RTSH Thoma Gëllçi, i arrestuar për abuzimin me tenderin për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro”.

Gazetari Ermal Vija raporton se gjyqtare do të jetë Saida Dollani dhe gjatë seancës do të shqyrtohet kërkesa e Gëllçit për ndryshim të masës së sigurisë.

Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçin së bashku me 3 ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndër shkeljet e konstatuara ishte nisja e tenderit 2 vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe 1 përpara se RTSH Agro të niste transmetimet.  SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt të 2020.

Ish-Drejtori i RTSH-së ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”. Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.

Pas arrestimit Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative me Radio Televizionin Shqiptar duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim sipas tij të padrejtë nga detyra, ish drejtori i RTSH-së kërkon dhe hapjen garës për drejtues. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat