Helmimi masiv në Krujë/ Reagon Meta: Kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare

Shqipëria

Helmimi masiv në Krujë/ Reagon Meta: Kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 10:56
Ilir Meta

Dhjetëra persona me simptoma helmimi, mes tyre edhe fëmijë, janë paraqitur në spitalin e Krujës që prej mbrëmjes së djeshme. Qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë kërkuar trajtim mjekësor sepse kanë shfaqur probleme si diarre, të vjella, marrje mendsh, dhimbje koke, etj. Si rezultat është ndërprerë furnizimi me ujë nga rrjeti i ujësjellësit në  Krujë.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili përmes një shënimi në facebook thotë se kjo është një situatë alarmante që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia.

Po ashtu Kreu i Shtetit ka nxitur shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë shkakun dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare.

“Me shqetësim po përcjell helmimin në masë të banorëve të Krujës, një situatë alarmante, që duhet trajtuar me shumë përgjegjësi dhe seriozitet nga institucionet shtetërore përgjegjëse për shëndetin publik, por edhe nga drejtësia.

Qytetarëve të helmuar, ju uroj shërim sa më parë dhe tejkalimin pa pasoja të rënda dhe afatgjata, si dhe ju shpreh familjeve të tyre të gjithë solidaritetin!

Mbështes dhe përgëzoj ekipet mjekësore për kujdesin dhe profesionalizimin e dëshmuar deri më tani dhe i nxis shërbimet shëndetësore epidemiologjike dhe ato të mjekësisë ligjore të zbardhin sa më parë burim shkakun dhe shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë, që përbën një kërcënim serioz për jetët njerëzore dhe Sigurinë Kombëtare”, shkruan Presidenti Meta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat