Qeveria miraton Qendrën e Pritjes për Azil

Shqipëria

Qeveria miraton Qendrën e Pritjes për Azil

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 18:06
Foto ilustrim

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e sotme një vendim për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Pritjes për Azil.

Kjo qendër pritjeje azilatësh do të financohet nga buxheti i shtetit dhe do të jetë pjesë e buxhetit të ministrisë që mbulon çështjet e azilit, pra asaj të Brendshme.

Në vendim parashikohet që Qendra e Pritjes për Azil organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu, Qendra drejtohet nga drejtori i qendrës, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit, dhe parashikohen kriteret dhe detyrat që ai duhet të plotësojë.

VENDIMI PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Pritjes për Azil (këtu e në vijim QPA) si person juridik publik buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për çështjet e azilit (këtu e në vijim ministri), me seli në Tiranë.

2. Qendra e Pritjes për Azil financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i qendrës është pjesë e buxhetit të ministrisë që mbulon çështjet e azilit.

3. Qendra e Pritjes për Azil ka si mision të garantojë pranimin dhe akomodimin kolektiv të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare.

KREU II

PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL

Qendra e Pritjes për Azil ka këto përgjegjësi:

a) Organizon punën për të siguruar pranimin kolektiv të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare;

b) Organizon punën për të siguruar ofrimin e standardeve të jetesës së përshtatshme për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare;

c) Organizon punën për të siguruar zhvillimin e programeve pedagogjike e edukuese dhe këshillimin ligjor falas për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare.

KREU III

ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I QENDRËS SË PRITJES PËR AZIL

1. Qendra e Pritjes për Azil organizohet në nivel qendror dhe e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Qendra e Pritjes për Azil drejtohet nga drejtori i qendrës, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj dhe përgjigjet përpara ministrit. Drejtori i qendrës përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.

3. Drejtori i QPA-së emërohet, lirohet ose shkarkohet nga ministri. Drejtori i QPA-së duhet të plotësojë këto kritere:

a) Të jetë shtetas shqiptar;

b) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c) Të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

ç) Të ketë diplomë të nivelit “Master shkencor” apo “Master profesional”, të përfituar në fund të studimeve të ciklit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike ose të barasvlefshme me to në shkenca shoqërore, sipas legjislacionit për arsimin e lartë;

d) Të ketë eksperiencë profesionale jo më pak se 5 (pesë) vjet në profesion;

dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna, që nuk është shuar sipas legjislacionit në fuqi.

4. Drejtori i QPA-së lirohet nga detyra në rastet kur:

a) jep dorëheqjen;

b) mbush moshën e pensionit të pleqërisë;

c) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën;

ç) gjendet në një situatë të konfliktit të vazhdueshëm të interesit.

5. Drejtori i QPA-së shkarkohet nga detyra kur:

a) dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

b) kryen shkelje të rënda gjatë kryerjes së detyrës;

c) merr formë të prerë vendimi i gjykatës për kufizimin apo heqjen e zotësisë për të vepruar.

6. Drejtori i QPA-së kryen detyrat, si më poshtë vijon:

a) Përcakton objektivat vjetorë të qendrës, në përputhje me objektivat strategjikë të miratuar nga ministri dhe harton planin vjetor të punës së institucionit;

b) Drejton procesin e planifikimit buxhetor dhe të raportit vjetor të punës;

c) Raporton në mënyrë periodike dhe sa herë që kërkohet te ministri për kushtet e kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare të akomoduar në qendër dhe për veprimtarinë e saj;

ç) Drejton punën për përgatitjen e rregullores që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QPA-së dhe/apo ndryshimet e saj dhe e dërgon atë për miratim te ministri;

d) Përgatit kërkesat e veçanta të vendit të punës për rekrutimin e nëpunësve/punonjësve të QPA-së dhe emëron nëpunësit e punonjësit, në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë;

dh) Autorizon shpërndarjen e informacionit për publikun;

e) Nxjerr akte të brendshme për menaxhimin administrativ, financiar, të burimeve njerëzore dhe akte të tjera të brendshme të detyrueshme për nëpunësit e QPA-së për realizimin e funksioneve të këtij institucioni;

ë) Nënshkruan marrëveshjet e bashkëpunimit me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja, në përputhje me parashikimet ligjore;

f) Çdo detyrë tjetër të ngarkuar nga legjislacioni në fuqi dhe ministri.

7. Qendra e Pritjes për Azil, në funksion të ushtrimit të kompetencave të përcaktuara nga ligji, kryen detyrat e mëposhtme:

a) Merr masat e nevojshme për akomodimin e kërkuesit të mbrojtjes ndërkombëtare, sipas parashikimeve të bëra në ligjin nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;

b) Merr masat e nevojshme për ofrimin e standardeve të jetesës së përshtatshme për kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare, me qëllim garantimin e shëndetit të tyre fizik dhe mendor, përfshirë kujdesin e nevojshëm shëndetësor dhe kujdesin e duhur mendor në rastet kur është e nevojshme;

c) Bashkëpunon me subjekte shtetërore ose private, vendase ose të huaja, si dhe me organe homologe dhe organizata të ndryshme të huaja për zgjidhjen efektive të problemeve, si dhe veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara në ligjin nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;

ç) Merr masat e nevojshme për të zhvilluar programe pedagogjike e edukuese, si dhe për dhënien e këshillimit ligjor falas, në përputhje me praktikat kombëtare;

d) Informon autoritetin përgjegjës për azilin dhe refugjatët për procedurat e hyrjes, të daljes apo të qëndrimit të kërkuesve për mbrojtje ndërkombëtare, të kryera sipas përcaktimeve të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”;

dh) Informon kërkuesit e mbrojtjes ndërkombëtare për të drejtat dhe detyrimet që duhet të përmbushin në lidhje me kushtet e qëndrimit;

e) Merr masat e nevojshme për të siguruar që të miturit të kenë qasje në aktivitete të kohës së lirë, duke përfshirë aktivitete të përshtatshme për moshën e tyre.

8. Marrëdhëniet e punës së drejtorit, nëpunësve dhe punonjësve të QPA-së rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.

9. Rregullorja, që përcakton metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të QPA-së, dhe/apo ndryshimet e saj miratohen nga ministri pas propozimit të drejtorit të qendrës.

10. Struktura dhe organika e QPA-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

11. Qendra e Pritjes për Azil ka stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare. Stema e qendrës përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Brendshme, Qendra e Pritjes për Azil”.

12. Vula e Qendrës së Pritjes për Azil ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KREU IV

DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Vendimi nr.332, datë 4.5.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës Kombëtare Pritëse për Azilkërkuesit”, shfuqizohet.

2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Qendra e Pritjes për Azil për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat