Ish-kryetarja e Kuvendit paralajmëron për rrezikun e ndikimit të parave të drogës dhe krimit në tregun e ligjshëm, duke thënë se pasuria mund të blejë jo vetëm prona, por edhe heshtje
Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka ngritur shqetësime për gjendjen e institucioneve, ekonomisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, duke paralajmëruar për rrezikun e ndikimit të kapitalit kriminal në ekonominë e ligjshme. Përmes një postimi, ajo ka theksuar se historia ka dëshmuar se shtetet nuk dobësohen vetëm nga luftërat, por edhe nga humbja e besimit të qytetarëve në institucione, pabarazia para ligjit dhe fuqizimi i parasë mbi drejtësinë. Sipas Topallit, Shqipëria sot përballet me pikëpyetje serioze, pavarësisht se pushteti promovon rritjen ekonomike, investimet dhe ndërtimet. Ajo vë në pikëpyetje shëndetin e ekonomisë në një kohë kur, sipas saj, paratë e drogës dhe të krimit rrezikojnë të deformojnë tregun.
“Sa e shëndetshme është një ekonomi kur paratë e drogës dhe të krimit rrezikojnë të deformojnë tregun e saj?”, ka pyetur Topalli.
Ajo ka paralajmëruar se depërtimi i kapitalit kriminal në ekonominë e ligjshme nuk ka të bëjë vetëm me pastrimin e parave, por edhe me synimin për të fituar ndikim ekonomik dhe politik.
“Kur kapitali kriminal hyn në ekonominë e ligjshme, ai nuk kërkon vetëm të pastrojë paratë. Ai kërkon ndikim. Kërkon prona. Kërkon kontrata. Kërkon pushtet”, ka shkruar Topalli.
Sipas saj, një situatë e tillë rrezikon konkurrencën e ndershme dhe i vendos sipërmarrësit që veprojnë në mënyrë të ligjshme përballë një kapitali që, siç shprehet ajo, nuk njeh as ligj dhe as përgjegjësi.
Topalli ka ngritur gjithashtu shqetësimin për zbehjen e kufirit mes krimit dhe biznesit të ligjshëm, duke paralajmëruar se persona të lidhur me botën kriminale mund të synojnë të fitojnë respektabilitet përmes kompanive, pronave dhe investimeve.
“Paraja të blejë jo vetëm pasuri, por edhe heshtje”, ka theksuar ajo.
Në fund, ish-kryetarja e Kuvendit ka paralajmëruar se problemi bëhet edhe më serioz nëse ndikimi i krimit arrin deri te institucionet që kanë për detyrë ta luftojnë atë. Sipas Topallit, në një rast të tillë, Shqipëria do të përballej me një problem shumë më të madh sesa korrupsioni.