Ekspozita për Çamërinë, reagon Meta

Shqipëria

Ekspozita për Çamërinë, reagon Meta

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 12:20
Ekspozita për Çamërinë

Presidenca ka reaguar lidhur me lajmet në mediat greke rreth ekspozitës për Çamërinë në murin rrethues të institucionit.

Në një reagim për mediat, këshilltari për Mediat dhe Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi sqaron se Meta ka qenë i ftuar në datën 15 nëntor 2021, për të vizituar këtë ekspozitë, të organizuar nga shoqëria civile, me fotografi dhe harta të vjetra, mijëra vjeçare, të gjetura në Enciklopeditë dhe Muzetë e vendeve të ndryshme të botës, si Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, Italisë, Turqisë dhe Greqisë.

Presidenti Meta e pranoi ftesën për të parë nga afër këtë ekspozitë, të organizuar jashtë ambienteve të Institucionit, pa marrë përsipër të vërtetojë saktësinë apo të bëjë interpretimin e materialeve të ekspozuara.

Blushi nënvizon se çdo shtet serioz, duhet ta ketë të qartë, se Presidenti i Republikës së Shqipërisë Meta nuk jep llogari për vendimet dhe qëndrimet e Tij para asnjë ambasade të akredituar në Tiranë, por vetëm para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

"Çdo përfaqësi e huaj në Tiranë, e çdo shteti që aderon në Konventën e Vjenës, për çdo pretendim apo sqarim lidhur me aktivitetin apo qëndrimet e Presidentit të Republikës, duhet të ndjekë vetëm rrugën zyrtare, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme" thekson Blushi.

Blushi e mbyll deklaratën duke rikujtuar se Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z Ilir Meta, siç dihet botërisht, ka qenë, është dhe do të mbetet një kundërshtar i vendosur i ndryshimit të kufijve në Ballkan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat