Abilekaj: Kuvendet e dhjetorit vulosin përçarjen e PD-së

Shqipëria

Abilekaj: Kuvendet e dhjetorit vulosin përçarjen e PD-së

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 23:30
Enton Abilekaj

Analisti Enton Abilekaj thotë se ndarja e Partisë Demokratike është e pashmangshme.

“Partia Demokratike po shkon drejt ndarjes. Kështu siç po shkojnë gjërat ndarja është e pashmangshme. Kushdo që ta marrë vulën, partia do të ndahet. Nuk shoh ndonjë rrugë tjetër”, tha ai.

Abilekaj foli në Politiko në Top News. Ai mendon se as Lulzim Basha dhe as Sali Berisha nuk e sjellin dot Partinë Demokratike në pushtet. Pse?

“As Basha dhe as Berisha nuk e sjellin PD në pushtet, Basha sepse s’ka mbështetjen e anëtarësisë dhe Berisha sepse nuk ka mbështetjen e ndërkombëtarëve”, u shpreh ai.

Dy Kuvendet e PD-së, Abilekaj thotë se do të vulosin ndarjen në dy parti të Partisë Demokratike. Këtë mendim ndau edhe Indrit Vokshi.

Deputeti Flamur Noka i kundërshtoi. Ai thotë se PD nuk po shkon drejt ndarjes. “Nuk ka çfarë të ndahet. Basha po tenton të mbajë peng Partinë Demokratike. Kaq është çështja. Prandaj nuk ka përçarje këtu”, tha ai.

Noka shpjegoi sipas tij pse Kryesia mbështet Lulzim Bashën.

“Kryesia nuk është e zgjedhur, 15 janë të zgjedhur dhe shumica ishin kundër Bashës. Të emëruarit mbështetën Bashën, po ashtu edhe nga të emëruarit dy dolën kundër Lulzim Bashës dhe unë u habita”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat