Asambleja e OBSH, Manastirliu: Të shqetësuar për variantin e ri, duhet bashkëpunim

Shqipëria

Asambleja e OBSH, Manastirliu: Të shqetësuar për variantin e ri, duhet bashkëpunim

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 16:21
Ogerta Manastirliu

Varianti i ri i COVID Omicron, po vijon të përhapet nga një vend në tjetrin. Në asamblenë e OBSH, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka thënë se duhet bashkëpunim mes shteteve, për t’iu përgjigjur më shpejt pandemisë në kushtet e rritjes së shqetësimit për variantin e ri.

“Në Asamblenë Botërore të Shëndetit në Gjenevë theksova rëndësinë e dakordësisë mes shteteve për përgjigjen e shpejtë ndaj pandemisë, në kushtet e rritjes së shqetësimit për variantin e ri Omicron.

Kjo Asamble ka një mundësi historike për t’u shndërruar në vendin ku Bota u bashkua në emër të mbrojtjes së brezave të ardhshëm dhe për t’u bërë ballë emergjencave të tjera madhore shëndetësore”, shkruan ministrja në rrjete sociale.

Në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së OBSH-së që po mban punimet në Gjenevë, marrin pjesë përfaqësues të lartë të mbi 100 shteteve anëtare të OBSh-së, ku pritet dakordësia e të gjitha vendeve për të ngritur një Organ Ndërqeveritar Negociator, për të punuar drejt një Traktati Ndërkombëtar, që do të sigurojë një bashkëpunim ndërmjet vendeve për përgjigjen ndaj pandemisë, akses të barabartë në shpërndarjen e vaksinave anticovid, masat e koordinuara për përballimin e emergjencave shëndetësore, me mësimet e mësuara nga pandemia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat