Ekzekutimi i ish-deputetit shqiptar, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Shqipëria

Ekzekutimi i ish-deputetit shqiptar, bashkëshortja nxjerr emrat dhe ndryshon dëshminë

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 16:04
Pashko Ujka

Natalina Ujka, bashkëshortja e biznesmenit shkodran Pashko Ujka, ka treguar për grupin hetimor se personat me të cilët bashkëshorti i saj ka pasur konflikte ka qenë për shkak të shitjes së apartamenteve. Një prej tyre, referuar dëshmisë ishte edhe konflikti me Aleksandër Kelmendin.

Pashko Ujkës iu bë pritë pranë shtëpisë së tij, në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër. Ai mori plagë në shtyllën kurrizore, dhe për pasojë humbi jetën në spital.

Hetimet janë përqendruar jo vetëm me funksionin e tij si ish-kryetar i Komunës së Velipojës, por edhe si ndërtues, nisur nga fakti se ai ishte ndërtues i disa pallateve në qytetin e Shkodrës vitet e fundit.

Në momentet e para të ngjarjes, Natalina Ujka u kishte deklaruar punonjësve të policisë se kishte dëgjuar një krismë të mbytur, dhe se kishte vënë re Pashkon kur ishte rrëzuar në tokë.

Fillimisht, ajo pohoi se nuk kishte mundur të shihte autorin. Ndërsa në deklarimet e dhëna më vonë, ka pohuar se njëri prej autorëve ishte trup i mbushur. Nga dëshmia e saj dhe pamjet e kamerave të sigurisë, ky person ka ngjashmëri me trupin e Marjan Kolës ose Aleksandër Kelmendit.

Për vrasjen e biznesmenit, janë arrestuar Kristian Kelmendi dhe Marjan Kola, ndaj të cilëve është caktuar arrest me burg 30 ditë. Dy të rinjtë kanë mohuar akuzën, me argumentin se ditën e vrasjes ndodheshin në Kosovë. Ata kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen, teksa Kristian Kelmendi deklaroi se njihej me familjen e Pashko Ujkës dhe kishte patur shoqëri me të birin.

Familjarët pretendojnë se Marjan Kola ka qenë në një poligon qitjeje në Prishtinë, ndërkohë që kujtojmë se të dyshuarit Kelmendi i është gjetur gjurmë baruti në duar. Gjyqtarja Izabela Radovani ka dhënë afat deri më 3 janar, duke kërkuar t’i vihen në dispozicion kamerat e doganës, poligonit të qitjes në Prishtinë dhe përgjigjet e laboratorit kriminalistik për gjurmët e barutit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat