Vizita e Escobar në Tiranë, ambasada e SHBA zbardh agjendën

Shqipëria

Vizita e Escobar në Tiranë, ambasada e SHBA zbardh agjendën

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 09:38
Gabriel Escobar

Ambasada e SHBA në Tiranë ka zbardhur axhendën e Gabriel Escobar i dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor që do të vizitojë Tiranë pas dy ditësh. Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Sipas ambasadës së SHBA ai do të konfirmojë mbështetjen e SHBA për demokracinë në Shqipëri, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime.

Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në postimin e ambasadës.

Vizita e Escobar në Tiranë përkon dy ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA pak muaj më parë. Kreu i PD Lulzim Basha ka vendosur pezullimin e Berishës nga Partia Demokratike deri në sqarimin e plotë të kësaj çështje për të cilën ish kreu i PD ka hapur gjyq në një gjykatë në Paris.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat