Sali Berisha tregon arsyet pse duhet protestuar sot kundër Aleksandar Vuçiq në Tiranë

Shqipëria

Sali Berisha tregon arsyet pse duhet protestuar sot kundër Aleksandar Vuçiq në Tiranë

Më: 20 dhjetor 2021 Në ora: 11:40
Sali Berisha

Tirana është qendra mikpritëse për takimin e radhës së Ballkanit të Hapur, që këtë herë përpos Këshillit të Atlantikut do të përfshijë edhe Komisionin Evropian.

Sot dhe nesër, liderët e tri vendeve të përfshira në këtë proces, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq do të zyrtarizojnë këtë iniciativë që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar pesë marrëveshje.

Në ditën e parë të këtij samiti një pjesë e opozitës shqiptare e drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka lajmëruar protestë para Kryeministrisë kundër nismës “Ballkani i Hapur”.

E është pikërisht Sali Berisha i cili përmes rrjetit social Facebook ka listuar katër arsyet se përse duhet të marrin pjesë në protestën e sotme.

Berisha tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Slobodan Millosheviqit dhe se akoma nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve nga Serbia, teksa vazhdon të ndjek politikën e shefit të tij.

Berisha deklaroi gjithashtu se Ballkani i Hapur është projekt që e rrit dhe forcon Serbinë dhe planet e Serbisë së Madhe, e sipas tij prandaj nuk duhet lejuar assesi që të konkretizohet.

Si pikë të tretë ai tha se kryeministri shqiptar, Edi Rama po bëhet pjesë e këtyre agjendave dhe është bërë një kukull e Vuçiq-it, andaj duhet të ndalet para se të bëhet vonë.

“Kosova ka akoma plagë të hapura për të cilat Vuçiq është nga përgjegjësit kryesor. Përveç kësaj,a i edhe mohon krimet, masakrat dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës në luftë, andaj nuk është i denjë që të pritet në Tiranë, aq më pak që të bashkëpunohet me të”, tha tutje Sali Berisha.

Ndryshe, Ballkani i Hapur është nisma e re e bashkëpunimit rajonal mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë Veriore. Emërtimi i ri i nismës u prezantua më 21 korrik 2021, në Shkup në mbyllje të punimeve të pjesës zyrtare të Forumit Ekonomik.

Rama, Zaev dhe Vuçiq në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.

“Qeveria e Kosovës është Qeveri e një shteti sovran. Ne përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës, me një Serbi që mohon krimet e luftës, dhe nuk e njeh pavarësinë, të bëhemi bashkë e të vendosim me shumicë votash aty”, pati deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat