Ish-deputeti Muslim Murrizi akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie

Shqipëria

Ish-deputeti Muslim Murrizi akuzohet për pastrim parash dhe fshehje pasurie

Më: 7 janar 2022 Në ora: 06:31
Myslim Murrizi

Në Shqipëri policia ka paditur në prokurori ish-deputetin e Muslim Murrizi për fshehje të pasurisë, transaksione dhe depozitime të dyshimta parash, me qëllim pastrimin e tyre.

Ish-deputeti Myslim Murrizi dhe familjarët e tij, thuhet në kallzimin e policisë, kanë kryer transaksione të dyshimta në disa banka, në vlerën e afro 734 mijë eurove.

Veprimet e dyshimta bankare në shuma të konsiderueshme janë kryer gjatë një periudhe 13 vjeçare, nga dhjetori 2008 deri në qershor 2021.

“Këto veprime financiare janë kryer nga vet zoti Murrizi, nga persona të tretë, kalime të hollash mes llogarive të shtetasit, kalime në favor të subjektit të administruar prej tij, “Murrizi 2009” dhe tërheqje cash (para të thata)” - thuhet në dokumentat e paraqitura nga policia.

Gjithashtu aty përshkruhen veprime të dyshimta bankare për blerjen e një automjeti 8 vjet më parë, në vlerën e 78 mijë eurove në favor të një subjekti, transferta dhe kreditime prej 515 mijë eurosh si dhe këste kredie në mijëra euro për blerje apartamenti.

Një seri veprimesh të dyshimta janë kryer në një tjetër llogari bankare sërish për blerje automjeti dhe apartamenti në shuma prej dhjetra mijëra eurosh, ku familjarë të ish-deputetit Murrizi depozitojnë cash në favor të tij.

“Këmbime valutore, kalime nga/për të tretë me qëllim likuidim detyrimesh, shitblerje pasurish të paluajtshme, tërheqje në cash”, përshkruan policia një larmi veprimesh bankare të dyshimta me dhjetëra mijëra euro, të cilat kalojnë në përfitim të ish deputetit Murrizi, herë si ortak, herë si kthim kontributesh, duke tërhequr vëmendjen e policisë për hapa të paligjshme, që duhen hetuar.

Ish-deputeti Murrizi i ka hedhur poshtë akuzat në mediat vendase, duke kujtuar se pasuria e tij është e deklaruar dhe se dokumentat janë në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Zoti Murrizi ka theksuar se ka qenë dhe mbetet i hapur ndaj drejtësisë. Në raste që i takojnë disa viteve më parë ai ka marrë pafajësi nga gjykata.

Denoncimi prej shumë faqesh i policisë është tashmë në zyrat e prokurorisë, e cila pritet të thotë fjalën e saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat