FRD pas protestës në selinë e PD: Sot dhe më fanatikët janë shokuar

Shqipëria

FRD pas protestës në selinë e PD: Sot dhe më fanatikët janë shokuar

Më: 9 janar 2022 Në ora: 07:15
Pamje nga protesta e PD

Aleatja e PD, Fryma e Re Demokratike ka dënuar dhunën e përdorur ditën e sotme nga mbështetësit e ish-kryeministrit Berisha ndaj selisë blu. Në një deklaratë zyrtare kryetari i saj Sali Shehu shprehet se  aksione te tilla janë të denja për guerrilasit e revolucionarët e majtë, që kulmuan në shek.19 dhe 20.

Ai shton se ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës. 

Reagimi:

Përshëndetje të dashur Miq!

Fryma e Re Demokratike, si aleate e Partisë Demokratike, ndoqi sot me shqetësim sulmin e egër, të pa besë e kriminal nga një grup të rebeluarish, të revoltuarish e të manipuluarish kundër selisë qendrore të PD.   Fryma e Re Demokratike, ashtu si gjithë opinioni kombëtar e ndërkombëtar, është ndjerë sot e shokuar për aksionin kundër selisë, që të kujtonte sulmin mbi Bastije apo akoma me keq, sulmin që bolshevikët rusë, nën udhëheqjen e Leninit , bënë ndaj Pallatit të Dimrit në tetor të 1917-s. Aksione të tilla janë të denja për guerrilasit e revolucionarët e majtë, që kulmuan në shek.19 dhe 20. Ideatori dhe projektuesit e këtij akti masakër treguan se janë peng të teorive leniniste se pushteti buron nga dhuna dhe mbrohet nëpërmjet dhunës. Pjellat e dhunës sot shënuan fundin e tyre politik sepse i shërbyen forcave antishqiptare që janë të interesuara për destabilizimin e Shqipërisë e gjithë Ballkanit Perëndimor.   Sot, edhe dishepujt me fanatikë, të verbër e të manipuluar janë shokuar, ndjerë keq e të turpëruar. Si mundet që një lider themelues të programojë projekte të tilla të çmendura kundër shtëpisë së tij të lirisë. Dhe kjo na tregon se deri ku të çon egocentrizmi i sëmurë, arrivizmi i skajshëm, arroganca e autoritarizmi. Ne edhe një herë, të shqetësuar për fatet e opozitarizmit, e dënojmë këtë akt banditesk dhe paralajmërojmë se akte të tilla nuk do të sjellin asnjë përfitim për ideuesit dhe zbatuesit, vetëm do të shënojnë fillimin e ri të një procesi të dhimbshëm, por të domosdoshëm për ndarjen përfundimtare të PD e opozitës shqiptare nga reminishencat e enverizmit, nga trashëgimia komuniste, ndarjen nga dhuna e përdorimi i forcës, ndarjen nga urrejtja, inkriminimi, nga përçarja e format e reja të luftës së klasave, ndarjen nga berishizmi. Ne u bëjmë thirrje subjekteve politike të djathta, faktorëve politikë të fillimviteve 90, intelektualeve , kontribuesve në vite të PD, institucioneve akademike të mos qëndrojnë sehirxhinj, por të dënojnë dhunën, nga cilado anë që të vijë ajo, të ndihmojnë për një zgjidhje politiko – juridike të situatës dramatike që po kalojmë.Tani ! Nuk ka me kohë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat