Rama merr me qira një pjesë të Pallatit të Kongreseve për Agjencinë për Media e Informim

Shqipëria

Rama merr me qira një pjesë të Pallatit të Kongreseve për Agjencinë për Media e Informim

Më: 13 janar 2022 Në ora: 21:40
Ilustrim

Kryeministri Edi Rama vazhdon me planet e tij për nismën e Agjencisë për Media dhe Informim, duke i gjetur edhe ambiente kësaj strukture.

Kështu, me një vendim të fundit të qeverisë është marrë vendimi për të lëshuar me qira, me tarifë të reduktuar sallën e konferencave “A” dhe disa zyrave në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Hapësirat do të jenë në dispozicion të Agjencisë për Media dhe Informim, agjenci e krijuar menjëherë pas formimit të qeverisë së re të kryeministrit Rama.

Vendimi për krijimin e kësaj agjencie u mor në muajin shtator, vendim që u shoqëruar me reagime të shumta, duke akuzuar Ramën se po formon ministrinë e propagandës.

VENDIM: 

PËR DHËNIEN ME QIRA, ME TARIFË TË REDUKTUAR, TË SALLËS SË KONFERENCAVE “A” DHE TË ZYRAVE ME NUMRAT 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, VERI, NË MJEDISET E PALLATIT TË KONGRESEVE, AGJENCISË PËR MEDIA DHE INFORMIM

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 8, të kreut III, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë, apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Dhënien me qira, me tarifë të reduktuar, të sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri, në mjediset e Pallatit të Kongreseve (në administrim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare), Agjencisë për Media dhe Informim, për ushtrimin e veprimtarisë së saj.

2. Tarifa e qirasë së sallës së konferencave “A” dhe të zyrave me numrat 2, 3, 5, 6, 7, 12, 14, veri është në masën ekuivalente të shpenzimeve për furnizimin me energji elektrike dhe ujë gjatë gjithë periudhës së dhënies me qira.
3. Ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia për Media dhe Informim për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat