Dy shpërthimet në Shkodër, Voltana Ademi: Të zbardhet menjëherë ngjarja

Shqipëria

Dy shpërthimet në Shkodër, Voltana Ademi: Të zbardhet menjëherë ngjarja

Më: 27 mars 2022 Në ora: 14:08
Foto ilustrim

Dëshmi të dështimit të autoriteteve për garantimin e sigurisë e cilësoi kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, sulmet me tritol të së shtunës. Teksa bëhet gati të largohet pas 7 viteve më detyrë, Voltana Ademi zbuloi se vetë nuk është ndjerë e kërcënuar.

Ademi kërkon zbardhjen sa më parë nga autoritetet të dy sulmeve me tritol, ku një biznes në shënjestër është në pronësi të Xhemal Bushatit, ish-kandidat i PD në zgjedhjet e 6 marsit për ta pasuar në detyrë.

“Janë dy ngjarje që kanë tronditur qytetin, biznesin, familjet, sigurinë e të gjithëve. Të zbardhin gjithçka çfarë ka ndodhur. Kjo do të shërbente për zbardhjen e të vërtetës por edhe për të siguruar që do të ketë siguri”, tha Ademi.

Ngjarja për numrin një të Shkodrës, tregon problemet dhe mungesën e sigurisë publike.

“Shteti jonë ka pasur probleme dhe ka shumë probleme që lidhen me sigurinë. Kjo tregon mungesën e efiçencës, dëshirës, vullnetit për të punuar dhe për të siguruar qytetarët në Shqipëri”, shtoi ajo.

Shkodra është një prej zonave të nxehta për ngjarjet kriminale. Bashkia atje ka vendosur një sistem kamerash në rrugë që Ademi thotë se gjithmonë është në dispozicion të policisë.

“Ngjarje të tilla të parandalohen, qytetarët të sigurohen, të ketë rend dhe siguri publike”, thekson Ademi.

Por a ka qenë ndonjëherë vetë e kërcënuar Voltana Ademi në 7 vitet e drejtimit të bashkisë Shkodër?

“Nuk kam pasur shqetësime të tilla ndonjëherë, komunikoj në mënyrë trasparente, korrekte me të gjithë”, ka përfunduar ajo.

Me gjithë ngjarjet e rënda, Voltana Ademi vlerëson se në Shkodër nuk është frikë të jetosh. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat