Zbardhen vendimet e Komisionit të Rithemelimit të PD! Ja çfarë do ndodhë me deputetët që nuk iu bashkuan “Foltores”

Shqipëria

Zbardhen vendimet e Komisionit të Rithemelimit të PD! Ja çfarë do ndodhë me deputetët që nuk iu bashkuan “Foltores”

Më: 14 prill 2022 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Komisioni i Rithemelimit nuk ka ndërmend të marr një tjetër vendim për të shtyrë më tej Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Gazeta “Panorama.al” mësoi përmes burimeve se një ditë pas mbledhjes maratonë të grupit të gjerë parlamentar të PD-së, grupi drejtues i selisë blu, Komisioni i Rithemelimit zhvilloi një tjetër mbledhje në ish-zyrën e Lulzim Bashës, e cila zgjati 3 orë dhe u diskutuan shqetësimet e deputetëve për mënjanimin e deputetëve në procesin e zgjedhjeve në bazë.

Pasi u analizuan disa prej degëve, Komisioni i Rithemelimit vendosi se për secilën zonë, apo degë, edhe deputetët, të cilët nuk iu bashkuan “Foltores” pak kohë më parë do t’iu kërkohet që të propozojnë kandidatura për Seksionet, Grupseksionet, Kryetar Degësh, Sekretar, Nënkryetar dhe për Këshill Kombëtar.

Kjo është parë si një formulë për të përfshirë të gjithë deputetët në procesin që po organizon partia demokratike. Ky vendim erdhi një ditë pasi shumica e deputetëve u ankuan se zgjedhjet po bëhen të njëanshme, duke mos i përfshirë të gjithë në proces.

AUDITI

Ndërkohë, ish-Kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat pas mbledhjes u shpreh se u vendos që auditi të funksionojë. Ai mori shembull procesin e zgjedhjeve në Lushnjë dhe në degën numër 7 në kryeqytet që sipas tij, kanë pasur problematika.

Ndërkohë, akuzoi kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajn, se merr në telefon persona të caktuar që të mos iu bashkohen procesit. “Mbledhja përfundoi dhe u diskutuar mbi ecurinë e procesit deri më tani. U vendos që auditi të funksionojë në tërë procesin. Fryma në bazë është shumë e mirë.

Telefoni i prishur i Enekelejdit që merr persona të caktuar dhe u thonë të mos bashkëpunojnë nuk po e pengojnë këtë proces, por ecin mjaft mirë. Shqetësimet e ligjshme të deputetëve që u ngritën për degë të caktuara, do merren masa që të zgjidhen. Pra, mund të them se po ecet drejtë Kuvendit me transparencë të madhe dhe ecuri të mbarë. Problematika ka pasur në Lushnje. Ka pasur një problem që do zgjidhet, sepse para fillimit të fushatës ka pasur një ujdi që ka funksionuar, por tani do funksionojë vetëm vota, vota dhe vota. Shembuj të tillë do ketë kudo ku procesi.

Për shembull: Lefter Gështenja shprehu dje një mendim me të cilin ata që kanë punuar në atë degë s’janë plotësisht dakord por nuk e hedhin poshtë. Për këtë është rënë dakord që të ndërhyhet. Ka një transparencë të hekurt”, tha Berisha. Një nga shqetësimet e deputetëve pranë Bashës ka qenë se pjesëmarrja e anëtarëve të PD-së ka qenë e ulët. Për Berishën, kjo nuk përbën detyrim statutor.

“Pjesëmarrja ka qenë më e madhe ndonjë herë në disa tjera më e vogël. Por pjesëmarrja nuk është një detyrim statutor. Kjo e bën fakultative”, tha Berisha.

RAPORTI I DASH

Ndërkohë, vlerësoi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe e cilësoi një radiografi të problematikave shqiptare.

“Unë vlerësoj shumë raportin dhe mendoj se ka trajtuar në mënyrë objektive problemet madhore. Ka bërë një radiografi të kësaj qeverie në rrafshin e të drejtave të njeriut. Në rrafshin e korrupsionit dhe luftës kundër kriminalitetit. Unë e gjej atë një dokument të vyer dhe të dobishëm. Pasqyronte problematikën e madhe të inceneratorëve që është një çështje që mbart veprimtarinë e një organizate kriminale. Pasqyronte problemin e mungesës për shqiptarët së një të drejte themelore që është procesi i duhur gjyqësor. 

E vërteta është se me 100 e ca mijë dosje, 30 mijë shqiptarë mund të mos marrin kurrë drejtësi dhe dhjetëra mijë të tjerë e marrin kur nuk shërben më. Plus, miliardat që humbet vendi. Problem të ngritura në mënyrën më të fuqishme që nga viti 2016 e deri sot. Kur ne kundërshtonim vetingun nga lart poshtë e kundërshtonim, sepse asgjësonte shtetin ligjor. E kundërshtonim sepse do krijonte këtë mal dosjesh”, tha Berisha.

Flutura Açka i përgjigjet thirrjes së Alibeajt, jep formulën për bashkimin e PD

Deputetja e PD-së, Flutura Açka ka propozuar zgjidhje për krizën në PD-së, duke sugjeruar formimin e Këshillit të të Urtëve, si dhe ngritjen e Këshillit të Bashkimit. Në postimin e saj në “Facebook”, Açka propozon ngritjen e Këshillit të Bashkimit të PD-së.

“Ngritjen e Këshillit të Bashkimit të Partisë Demokratike, shpalljen e bashkimit të plotë të Partisë Demokratike nën një logo, nën një slogan, shpalljen e një amnistie i të plotë politike, morale, etike, shpirtërore mes demokratëve; shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve të njëanshme të kryera deri tani në strukturat vendore nga Komisioni i Rithemelimit; shpalljen e hapjes së fushatës për kreun e PD; shpalljen e muajit Shtator si koha për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së dhe për kryetarët e degëve në rrethe”, shkruan deputetja e PD-së në Elbasan. 

Açka sugjeron që bashkimi të nisë me sakrificën e Sali Berishës, që e cilëson të ngjashme me atë të legjendës së Curzios. “Ka vetëm një rrugë për bashkimi i vërtetë për demokratët, bashkim që nuk mund të ndodhë pa “sakrifica” dhe radhët e mia u drejtohen të parëve atyre që e kuptojnë thelbin e këtyre sakrificave, që shkojnë përtej personales. 

E di që kjo nuk do t’i dokëndisë shumë, por duke e shpallur nevojën e këtyre sakrificave akute, kam qetësinë e ndërgjegjes së dikujt që i ka thënë gjërat kur duhen thënë. Ky bashkim është i detyruar të nisë nga sakrifica e Sali Berishës, e ngjashme me atë të legjendës së Curzios, thelbin e së cilës po e them shkurt: pas tërmetit të vitit 362 në Romë, në forum, në vendin ku bëhej politika e merreshin vendime, u hap një gropë aq e madhe, mbushja e së cilës mund të arrihej vetëm duke hedhur aty gjënë më të vlefshme që romakët kishin. Marco Curzio, një luftëtar i ri i veshur me armë e stoli, i bindur se gjëja më e vlefshme e tyre, ishte guximi, shaloi kalin dhe u hodh në humnerë, e cila u mbyll sa hap e mbyll sytë”, vijon propozimi i Açkës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat