PS hap zarfet, deputetët socialistë propozojnë 67 emra për Presidentin e ri. Porosia është të mbahen sekret!

Shqipëria

PS hap zarfet, deputetët socialistë propozojnë 67 emra për Presidentin e ri. Porosia është të mbahen sekret!

Më: 21 prill 2022 Në ora: 11:10
Foto ilustrim

Partia Socialiste hapi dje zarfet e dorëzuara nga deputetët socialistë, ku mbajnë emrat e propozuar për Presidentin e ri të vendit.

Mësohet se janë 67 emra që janë dorëzuar dhe do të shqyrtohen nga tre negociatorët e mandatuar nga Rama për këtë proces: Taulant Balla, Elisa Spiropali dhe Damian Gjiknuri.

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t’u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentare dhe shoqërisë civile.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. Por emrat e propozuar për President do të vazhdojnë të mbeten sekret. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, siguroi dje se emrat nuk do të bëhen publik. “Në asnjë moment nuk do të bëjmë publik emrat e propozuar.

Janë pjesë e strukturimit të disa propozimeve që kanë ardhur nga deputetët, por ne respektojmë një element thelbësor sepse është e padrejtë që të bëjmë publik emrat e propozuar. Kemi marrë më shumë se 200 emaile propozimi që vijnë nga publiku.

Sa kohë që ne duam të negociojmë me opozitën, nuk mund të vijmë me emra konkretë. Nuk dihet se sa do të arrijmë. Javën e ardhshme do të kemi takim me Alibeajn që të arrijmë të dakordësojmë kalendarin”, deklaroi z.Balla.

Ditën e hënë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, Edi Rama, theksoi se socialistët kanë vetëm 2 kushte, që të jetë një figurë normale dhe jo politike, pra, sipas tij e kundërta e Ilir Metës. Këtë të fundit e quajti si Presidentin më skandaloz që ka pasur vendi në historinë e tij, që e ka bërë Shqipërinë qesharake.

Deputetët socialistë zhvilluan publikisht procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për President. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, secili nga deputetët dhe anëtarët plotësoi një fletë me tre emra dhe e futi në një zarf e më pas në një kuti.

Por 3 preferencat e çdonjërit prej 74 deputetëve do të mbeten konfidenciale dhe nga lista me 222 emra që do të përpunohet prej grupit të punës do të mësohen vetëm kandidatët që kanë marrë më shumë mbështetje. Vetë Kryeministri që e mbylli i pari zarfin me 3 të preferuarit e tij.

Kreu i Grupit, Taulant Balla, shpjegoi para deputetëve se si do të funksionojnë propozimet për Presidentin e ri, si dhe cilat janë kriteret që do duhet të përmbushin kandidatët.

Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nisë procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës. Kushdo që ka dëshirë mund të dërgojë një email, duke propozuar një emër së bashku me një argument.

Balla u shpreh besimplotë se presidenti i ri i vendit mund të zgjidhet që në seancën e parë të votimit në Parlament në datën 4 maj. Ai bëri të ditur se mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve presin që ta zhvillojnë më 29 prill.

Balla theksoi se do të ketë një takim me krerët e grupeve të opozitës, për të rënë dakord për kalendarin punimeve. Sipas tij, “procesi duhet të fillojë jo më vonë se data 24 maj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat