77-vjetori i “Ditës së Forcave të Kufirit” 25 prill 1945-2022

Shqipëria

77-vjetori i “Ditës së Forcave të Kufirit” 25 prill 1945-2022

Albert Z. Zholi Nga Albert Z. Zholi Më 26 prill 2022 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Si është ruajtur gjatë viteve kufiri territorial i Shqipërisë?

Forcat, mjetet e posaçme dhe ligjet e posaçme që e mundësuan atë. Kanë kaluar rreth 32 vite, nga koha kur një nga festat kombëtare të popullit shqiptar ka ngelur në harresë. Fjala është për 25 prillin, e njohur zyrtarisht si “Dita e Forcave të Kufirit” që në vitin 1945. E caktuar pikërisht në vitin e parë të pasluftës, ku mbrojtja e kufijve të vendit, u imponua si një detyrim i fuqishëm, jo vetëm për shtetin, por edhe për çdo qytetar shqiptar. Moment ky kur u organizua edhe Divizioni i Mbrojtjes së Kufirit, i cili ndër vite të tëra u angazhua për ruajtjen e kufirit dhe integritetit tokësor dhe ujor të territorit të vendit tonë. Që atëherë, ndër dekada, forcat e kufirit shqiptar janë përballur dhe kanë mundur të zmbrapsin mijëra provokacione. Teksa kanë shënuar edhe një numër të madh të rënësh në përpjekje kundër tyre...

Territori i Republikës së Shqipërisë

Territori i Republikës së Shqipërisë është i përbërë nga një sipërfaqe territoriale prej 28.748 km katrorë, me një kufi prej 1094 km. Ai është i ndarë në kufi tokësor 657 km, detar 316 km, lumor 48 km dhe liqenor 73 km. Në tërë këtë vijë kufitare për gjithë periudhën e pasçlirimit e deri më ‘90-ën, forcat e kufirit, në bashkëpunim me banorët e zonave kufitare, e kanë ruajtur dhe mbrojtur me sakrifica gjithë pjesën territoriale të vendit. Veprimet ushtarake për mbrojtjen e kufirit filluan që pak para çlirimit të Shqipërisë nga forcat partizane, së pari në zonat jugore detare të çliruara nga pushtuesit e huaj. Kështu që, më 10 tetor 1944, Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare e Shqipërisë urdhëroi Divizionin III Sulmues partizan që me forcat e saj kryesore të mbronte kufirin tokësor. Ndërsa Brigada XIX Sulmuese u vendos në krahinat e Konispolit në Sarandë, kurse Brigada XII në kufirin bregdetar Himarë-Vlorë. Këto forca patën detyrë ruajtjen dhe mbrojtjen e kufirit dhe moslejimin e veprimtarive armiqësore e pushtuese nga ana e monarko-fashistëve grekë dhe ata anglo-amerikanë. Në historinë e popullit tonë, vetëm pas çlirimit mori formë të organizuar ruajtja dhe mbrojtja e kufirit, me forca dhe mjete të posaçme dhe në mënyrë ligjore. Për këtë qëllim u krijuan batalionet e para speciale në varësi të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit me komandantin e paharrueshëm, Gjeli Argjiri. Këto reparte speciale u angazhuan në Jug të vendit dhe shumë pak nënreparte kufitare (kompani) në veri, në kufi me ish-Jugosllavinë për shkak të marrëdhënieve më të qeta të asaj kohe me këtë shtet. Pas prishjes së marrëdhënieve me shtetin jugosllav, në vitet 1948-1990, u krijua Drejtoria e Kufirit dhe sektorët e kufirit, respektivisht N1 e N2, me qendër në Korçë e Sarandë. Më pas këto u emërtuan si “Brigada Kufitare”, si edhe batalione kufitare në veri dhe verilindje të vendit, si në Librazhd, Peshkopi, Kukës, Tropojë e Shkodër. Po kështu dhe në kufirin bregdetar Shëngjin, Durrës, Vlorë dhe Himarë u dislokuan batalione kufitare me struktura e organe të posaçme. Në kohën e regjimit të Zogut nuk kanë ekzistuar forca të veçanta me përjashtim të disa postave financiare e doganore dhe shumë pak posta xhandarmërie që kryenin detyrat e kontrolli doganor dhe të ndalimit të kontrabandës në pika të caktuara të terrenit kufitar, si ajo e Sarandës, Kakavijës, Kapshticës, Morinës apo Hanit të Hotit, si dhe ato bregdetare, Durrës e Vlorë. Me pushtimin fashist, edhe ato pak posta financiare-doganore u tretën përfundimisht.

Pas çlirimit, nisja e ruajtjes së kufirit me forca speciale

Pra, periudha pas çlirimit do të quhet fillimi i ruajtjes dhe i mbrojtjes së kufirit me forcat speciale kufitare. Fillimet e punës dhe të veprimtarisë luftarake të forcave kufitare qenë vërtet të vështira. Pajisja me armatim në atë kohë, ishte vetëm ai që iu rrëmbye fashistëve, kryesisht armë të lehta të çdo lloji. Postat kufitare e komandat e reparteve u vendosën nëpër kasolle e shtëpi të boshatisura të fshatrave buzë kufirit. Këto ndërtesa ishin ndërtuar nga partizanët dhe më pas nga kufitarët me mjete rrethanore. Ndërsa shumë të tjerë u strehuan në stane apo shpella që ndodheshin pranë kufirit. Periudha e pasçlirimit për krijimin e mbrojtjes së kufirit pati shumë vështirësi të drejtimit strukturor, profesionalizmit dhe mjaft mangësi materiale dhe dokumentare. Po kështu, nuk disponoheshin as rregullore dhe as instruksione për mënyrën e kryerjes së punës. Njohuritë profesionale mungonin tërësisht në radhët e kuadrove të emëruar në detyrë. Sigurimi i ndërlidhjes mes patrullave, nënreparteve, komandës eprore dhe postave ishte tejet i vështirë dhe realizohej vetëm me mënyra e mjete rrethanore. Furnizimi materialo-teknik bëhej vetëm me kafshë, se dihej që mjetet e transportit mungonin, por dhe infrastruktura ishte në gjendje të mjeruar. Mbështetja kryesore ishin banorët e zonave, që kryenin detyrën e lajmëtarit dhe të korrierit. Shërbimi i mirëfilltë nga parullat e postave kufitare me njësitet e pikave të vrojtimit u arrit nga fundi i vitit 1945. Me krijimin e Drejtorisë së Kufirit në vitin 1949, si organ i vetëm komandues e drejtues i këtyre forcave, u hodhën hapa seriozë për modernizimin e forcave kufitare, si në strukturë, organikë, armatim, veshmbathje etj. Nga viti në vit u përgatitën kuadro për kufirin, jo me kurse disa mujore, por me shkollë kufiri 2-3 vjeçare. Gjithashtu, u dërgua dhe u përgatitën shumë kuadro për studime në shkolla e akademi brenda dhe jashtë vendit. Me kontingjentin kufitar bëheshin përgatitje profesionale 2-3 mujore, kurse komandantët e skuadrave përgatiteshin 3 deri në 6 muaj në shkolla instruksioni. Forcat e kufirit u pajisën me teknikë, mjete dhe armatim më të sofistikuar, gjë që rriti e efektivitetin në detyrë. Forcat e kufirit përherë dhe më shumë e përligjën besimin dhe respektin që kishte populli për ta. “I gjithë populli ushtar” nuk ishte më një fasadë, por realitet. Kryesorja e këtij shërbimi ishte krenari për cilindo që thirrej në detyrë. Vijën e dytë të mbrojtjes së kufirit e mbulonin banorë të organizuar në grupe vullnetare, të cilët pranë veglave të punës mbanin dhe armën. Të rinjtë dhe të rejat në këto zona vigjilonin vullnetarisht për mbrojtjen e vendit. Në këtë mënyrë u rrit përgjegjësia dhe fryma patriotike tek të gjithë shtetasit shqiptarë. Gjatë viteve 1945-1990, forcat e kufirit kanë përballuar dhe zmbrapsur mbi 6 mijë provokacione tokësore dhe mbi 900 provokacione në det. Provokimet më luftarake njihen ato të 2 gushtit të vitit 1949-1950, në Korçë, Gjirokastër e Sarandë. Gjatë kësaj kohe u kapën me mijëra shkelës të kufirit që vinin nga jashtë për qëllime kriminale, agjenture, diversioniste që vinin të drejtuara nga zbulimet e huaja. Po ashtu, mijëra të tjera, që tentuan të shkelnin kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. Mbi 200 kufitarë kanë dhënë jetën në përpjekje me bandat kriminale. Mjaft të tjerë kanë dhënë jetën në krye të detyrës për shkak të kushteve të vështira atmosferike, nga bora, ngricat dhe të ftohtët e madh.

Hapja e zjarrit

Sipas rregullores, “ruajtja e kufirit shtetëror në sektor malor me dëborë dhe të pyllëzuar”, u jepej e drejtë njësiteve kufitare të hapnin zjarr apo të shkonin edhe më shumë me “shpirtin sulmues” duke përdorur bombat. Duke u nisur nga fakti që pjesa më e madhe e kufirit shtetëror të Shqipërisë shtrihet në sektor malor dhe të pyllëzuar, automatikisht, njësitet kishin të drejtë të qëllonin në rrethanën natyrore të sipërthënë. E njëjta rregullore në kapitullin e “rregullave për mënyrat e hapjes së zjarrit”, ndër të tjera ka sanksionuar se hapja e zjarrit bëhej “kundër civilëve e ushtarakëve të RPSSH-së që tentojnë të arratisen në sektorë tokësor, lumor, liqenor , detar me ose pa mjete. Njësiti u bën thirrje “duart lart”, kur nuk binden, u bën qitje paralajmëruese (në ajër), në rast se vazhdojnë tentimin, hapet zjarr neutralizues, në pamundësi neutralizimi dhe asgjësues”.

Përbërja

Territori kufitar detar dhe tokësor, plot 253 piramida

Me shtetin e atëhershëm jugosllav, kufiri ishte i gjatë 529 km (380 km tokësor, 39 km lumor, 66 km liqenor, 22 km përrenjor, 22 km detar). Kurse me shtetin grek kufiri ishte i gjatë 349 km (247 km tokësor, 78 km detar, 9 km lumor, 7 km liqenor dhe 8 km përrenjor). Kufiri tregohej me piramida kryesore e të ndërmjetëse. Me shtetin e atëhershëm jugosllav ishin vendosur 176 piramida kryesore e 1254 të ndërmjetme. Me Greqinë 177 kryesore. Në liqene, vija e kufirit tregohej me shenja ndriçuese. Në lumenj e përrenj, vija ishte në mesin e rrjedhjes kryesore të ujit, ndërsa në lumenj të lundrueshëm, në thellësinë më të madhe të tyre. Në det, vija e kufirit fillon 15 milje në thellësi të ujërave.

Retrospektivë

Kufijtë e parë të Shqipërisë, në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër

Kufijtë e Shqipërisë janë përcaktuar në vitin 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Më 22 mars 1913, kjo Konferencë caktoi kufijtë e veriut të Shqipërisë, ndërsa në 11 gusht 1913 kjo Konferencë caktoi kufijtë e jugut të Shqipërisë. Kurse Komisionet për demarkimin e kufijve filluan punë më 17 dhjetor 1913. Në kufirin jugor të Shqipërisë me Greqinë, punimet përfunduan në korrik 1925 dhe në datën 27 të këtij muaji u nënshkrua Protokolli i Firences (Itali) mbi këtë çështje, ndërsa për kufirin verior, Protokolli u nënshkrua me 26 korrik 1926 në Firence të Italisë. Më 30 korrik 1926, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, me aktin e saj final të nënshkruar nga Britania e Madhe, Franca, Italia e Japonia, në njërën anë dhe prej përfaqësuesve të Shqipërisë, Greqisë e Jugosllavisë, nga ana tjetër, caktoi përfundimisht vijën ndarëse të kufijve ndërmjet këtyre vendeve. Pak kohë pas përcaktimit të kufijve, më 25 shkurt 1929 u krijua Roja Mbretërore e Kufirit. Kjo datë konsiderohet edhe si dita e themelimit të Forcave Shqiptare të Kufirit. Roja Mbretërore e Kufirit ishte një organizatë ushtarako-financiare, e cila kishte si detyrë të ndalonte, shtypte dhe parandalonte kontrabandën dhe veprimtaritë kriminale në kufi, mosbindjet ndaj ligjit dhe rregulloreve të financës, të ndihmonte në mbrojtjen e rregullit dhe qetësisë publike dhe në rast lufte angazhohej në operacione fushore. Kjo mënyre organizimi vazhdoi deri ne vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia.

Bandat diversante

Grupi i Et'hem Çakos

Grupi i Zenel Canes

Grupi i Nikoll Mark Nikaj

Grupi i Dibrës

Grupi i Kukësit

Grupi i Krujës

Grupi i Vlorës

Grupi i Izet Vrazhdos

Grupi i Shefki Hysës

10. Grupi i Leshanakut.

box

Në praktikën e përcaktimit të kufijve ndeshen:

-Kufijtë orografikë, që hiqen me ndihmën e veçorive gjeografike të vend duke marrë për bazë shtratin e lumit, kodrën, pyllin, bregun e detit, etj.

-Kufijtë gjeometrikë, që ndajnë territorin e një shteti me një tjetër në vijë të drejtë nga njëra pikë te tjetra. Përveç këtyre, hasen edhe kufijtë astronomik që përkonin me paralelin ose meridianin.

Territori i shtetit shqiptar ka një kufi të gjatë në 1094 kilometra, i përbërë nga 627 km tokësor, 316 km detar (vijë bregdetare 472 km), 73 km liqenor, 48 km lumor, 30 km përrenjor.

Me shtetin e atëhershëm jugosIlav kufiri ishte i gjatë 529 km (380 km tokësor, 39 km lumor, 66 km liqenor, 22 km përrenjor, 22 km detar).

Me shtetin grek kufiri ishte i gjatë 349 km (247 km tokësor, 78 km detar, 9 km lumor, 7 km liqenor dhe 8 km përrenjor).

Kufiri tregohej me piramida kryesore e ndërmjetëse. Me shtetin e atëhershëm jugosllav ishin vendosur 176 piramida kryesore dhe 1254 të ndërmjetme. Me Greqinë 177 kryesore.

Në liqene, vija e kufirit tregohej me shenja ndriçuese. Në lumenj e përrenj, vija ishte në mesin e rrjedhjes kryesore të ujit, ndërsa në lumenj të lundrueshëm, në thellësinë më të madhe të tyre. Në det vija e kufirit fillon 15 milje në thellësi të ujërave. Për çdo kufitar, Shqipëria ishte një parajsë dhe bota jashtë një ferr i të këqijave. Shërbimi në kufi bëhej në formën e patrullimit sipas rastit në tokë, liqen apo det. Pikërisht këtu mund të ndodhte edhe përplasja e atyre, që donin të arratiseshin me ata që ishin caktuar për të mbajtur të fortë gardhin komunist në vend. Struktura e një poste kufitare përbëhej nga komandanti, komisari, nënoficeri i shërbimeve, nënoficeri i qenit dhe ushtarët. Afër çdo poste kufitare ishin të gatshme forca vullnetare vendore. Kufiri para se të shkohej në vijën zyrtare ndërmjet dy shteteve ishte i rrethuar nga një gardh me tela, që quhej klon. Kjo ishte sinjalistika për çdo kalesë, që mund të bëhej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat