Dita e Evropës, Xhaçka: Rajoni ka bërë shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike

Shqipëria

Dita e Evropës, Xhaçka: Rajoni ka bërë shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike

Më: 9 maj 2022 Në ora: 17:25
Olta Xhaçka

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka gjatë diskutim të hapur me ambasadorë të BE-së në Shqipëri u thpreh se rajoni ka bërë shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne dhe demokratike.

“I mirëpres gjithmonë këto mundësi për të diskutuar hapur mbi perspektivën europiane të Shqipërisë, aq më tepër kur pjesë e diskutimit janë edhe të rinjtë të cilët nga eksperienca ime kontribuojnë gjithmonë për diskutime më të hapura, më të drejtpërdrejta e pa doreza.
9 maji është bërë prej dekadash një ditë e rëndësishme në kalendarin e shqiptarëve. Është një ditë që për ne shqiptarët ka një domethënie krejt të veçantë krahasuar me mënyrën sesi perceptohet kjo ditë në BE, pasi në 9 maj ne nuk kremtojmë thjesht Europën, por mbi të gjitha ëndrrën tonë për t’u bërë pjesë e Europës dhe gjithçka kjo ëndërr e mbështetur nga Bashkimi Europian ka bërë për transformimin e rajonit tonë. Bashkimi Europian ka bërë shumë për rajonin dhe ka bërë shumë për Shqipërinë.

Mjafton të kujtosh situatën në të cilën ndodhej rajoni ynë në vitet 1990 për të kuptuar sesa i jashtëzakonshëm ka qenë ky transformim. Sepse për pjesën më të madhe të asaj dekade situata në atë që sot quhet Ballkani Perëndimor ishte më e ngjashme me situatën në Sirinë e luftës civile apo të Ukrainës sot nën agresionin rus, sesa me realitetin që përjeton sot ky rajon. Gjakderdhja dhe tmerret e luftërave të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, spastrimi etnik, kampet e përqendrimit, masakrat e krimet e luftës në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë e më pas në Kosovë nën sulmet e një regjimi kriminal si ai i Miloshevicit, janë sot të vështira për t’u imagjinuar nëse nuk e ke jetuar atë periudhë.

Dhe nëse ky rajon, pavarësisht probleme që nuk është se janë zhdukur apo zgjidhur që të tëra padyshim, ka bërë kaq shumë progres drejt ndërtimit të shteteve funksionale, moderne e demokratike, drejt garantimit të paqes, stabilitetit e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal, drejt zhvillimit e mirëqenies, kjo padyshim i detyrohet shumë angazhimit të vendosur dhe mbështetjes që ka dhënë Bashkimi Europian. Dhe do të thosha pa ia ulur aspak rëndësinë, që edhe më shumë sesa mbështetjes financiare që ka qenë vërtet e jashtëzakonshme, i detyrohet ëndrrës, perspektivës europiane e cila i ofroi rajonit një alternativë ndaj politikave nacionaliste e përçarëse, që siç thotë një fjalë prodhonin në rajon më shumë histori sesa rajoni mund të konsumonte.
Shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin, janë padyshim populli që ka besuar më shumë dhe ka punuar më shumë për këtë ëndërr. Sondazhet, vazhdimisht e nxjerrin mbështetjen e shqiptarëve për integrimin europian në mbi 90%. Por në fakt s’është fare nevoja për sondazhe për të kuptuar sesa shumë besojnë shqiptarët tek integrimi europian. Mjafton të shohësh se çfarë roli kanë luajtur shqiptarët si një faktor stabiliteti në rajon dhe si një garantues i orientimit euro-atlantik të vendeve të rajonit, për ta kuptuar që asnjë popull tjetër nuk është aq i përkushtuar sa shqiptarët ndaj perspektivës europiane.

Prova e këtij përkushtimi është sot edhe qëndrimi dhe kontributi që po jep Shqipëria në lidhje me luftën në Ukrainë. Vendi ynë siç e dini ruan tashmë prej kohësh një linjëzim 100% me BE në politikën e jashtme, çka padyshim që ka vazhduar edhe në këtë situatë, me linjëzimin e plotë të vendit tonë me të gjithë paketat e masave shtrënguese që ka miratuar BE.
E jo vetëm kaq, por sot si kurrë më parë, Shqipëria është duke luajtur një rol të dorës së parë në arenën diplomatike globale, në Këshillin e Sigurimit ku po jep një kontribut aktiv e të qenësishëm në mbështetje të Ukrainës dhe luftës heroike të popullit të saj kundër agresionit të paligjshëm rus. Ne shqiptarët kemi vërtet shumë arsye për t’i qenë mirënjohës Bashkimit Europian. Shqipëria dhe rajoni ynë në tërësi jemi prova më e mirë e fuqisë transformuese që ka ëndrraeuropiane kur kombinohet me një qasje të duhur dhe strategjike.
Sot, ky kombinim faktorësh është më i nevojshëm se kurrë. Sepse e vërteta është që prej njëfarë kohe tashmë ka pasur për fat të keq një mungesë qartësie strategjike në raport me rajonin tonë. Mjafton të shohësh sesi ky rajon mu në mes të Bashkimit Europian, dikur zonë ku BE gëzonte një ekskluzivitet strategjik të plotë, sot pas agresionit rus në Ukrainë, shihet si një nga nyjat e dobëta në arkitekturën e sigurisë së Europës për të kuptuar sesa e vërtetë është kjo.

Prandaj në këtë ditë, që kremton zanafillën e një eksperimenti vërtet të paprecedentë në historinë e njerëzimit, unë dua t’i bëj thirrje Bashkimit Europian, por edhe çdo vendi anëtar, që ta rigjejnë fokusin, të rigjejnë atë qartësi strategjike që bëri të mundur krijimin e vetë Bashkimit Europian dhe ta shohin rajonin tonë po me atë frymë. Ne e meritojmë të kemi një perspektivë të qartë europiane, këta të rinj e të reja që janë sot këtu e meritojnë që ta jetojnë BE njësoj si bashkëmoshatarët e tyre në vendet anëtare dhe të mos u duhet të presin edhe ata për dekada e dekada me radhë me një BE që ngelet si një vegim që nuk afrohet kurrë në horizont, siç për fat të keq i qëlloi brezit tim”, tha ministrja.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat