Nëndetësja shqiptare e kohës së Bashkimit Sovjetik që refuzon të fundoset

Shqipëria

Nëndetësja shqiptare e kohës së Bashkimit Sovjetik që refuzon të fundoset

Më: 18 maj 2022 Në ora: 17:47
Nëndetësja shqiptare e kohës së Bashkimit Sovjetik që refuzon të fundoset

Rreshteri në pension Neim Shehaj, i kalon ditët e tij duke riparuar një nëndetëse të kohës së Bashkimit Sovjetik, një dëshmi e së shkuarës komuniste të Shqipërisë, që tani është pjesërisht e ndryshkur, e pjesërisht e fundosur në një bazë detare në Adriatik.

Fati i nëndetëses së kohës së Luftës së Ftohtë në bazën e Pashalimanit, nga ku Moska shpresonte dikur të kontrollonte Mesdheun, është në fije të perit pasi autoritetet nuk e dinë ende se çfarë duhet të bëjnë me të.

“Kjo nëndetëse është si një kishë për mua…unë erdha këtu kur isha marinar i ri dhe tani jam thinjur”, thotë për agjencinë franceze të lajmeve AFP Shehaj, 63 vjec, që dikur ka shërbyer në të për tre dekada.

Nëse nëndetësja nuk do të nxirret nga deti shpejt, ajo rrezikon të fundoset plotësisht dhe të marrë me vete edhe gjithë historinë e saj, ka thënë Shehaj.

Nëndetësja ishte pjesë e të ashtuquajturit Projekti 613, që përbëhej nga nëndetëset e para që Bashkimi Sovjetik ndërtoi pas Luftës së Dytë Botërore.

Ajo është e vetmja e mbijetuar nga 12 gjithsej që Moska kishte vendosur në bazën e Pashalimanit në gjirin e Vlorës, në fund të viteve 1950, kur Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik ishin aleatë të ngushtë.

“Nga këtu, unë mund të kontrolloja Mesdheun, deri në Gjibraltar”, thotë komandanti në pension i nëndetëses, Jak Gjergji, duke cituar Nikita Krushovin në 1959 gjatë vizitës në bazë.

Krushovi shpresonte të vendoste raketa me rreze të gjatë veprimi, luftanije dhe të ndërtonte edhe një aeroport në bazën në jugperëndim të Shqipërisë.

Sabri Gjinollari, komandant i flotës detare të ushtrisë shqiptare thotë: “Kapiteni Eduart Jeminaj, shef i operacioneve në bazën detare të Pashalimanit, tregon historinë e saj.”

Nëndetësja 105, është e vetmja që ka mbijetuar. Pas dëbimit të rusëve, ata i morën me vete nëndetëset duke lënë në bazë vetëm katër. Autoritetet më pas çmontuan tre prej tyre dhe i shitën për skrap në 2009. Nëndetësja 105 mbeti, falë edhe letërsisë. Ismail Kadare shkroi në 1973 novelën dimri i vetmisë së madhe, dhe ylli i saj ishte nëndetësja me numrin 105.

Një tjetër bazë e ngjashme, është edhe ajo e Porto Palermos, më në jug të vendit por ajo mban një tjetër firmë, atë të kinës. Atje do të vinin luftanijet kineze, që në fakt, nuk erdhën kurrë. Komandanti i saj, Majori Shkëlqim Shytaj, tregon për të.

“Kur diktatori komunist, paranojak i Shqipërisë, Enver Hoxha, ndërpreu lidhjet me Bashkimin Sovjetik, duke akuzuar Moskën se kishte devijuar nga marksizmi i vërtetë, Shqipëria i hodhi sytë nga Kina. Por edhe kjo lidhje nuk zgjati shumë, duke e çuar vendin më pas drejt një izolimi në stil Koreano-Verior, kur vendi u tej mbush me bunkerë, për tu vetëmbrojtur nga armiqtë që e rrethonin nga çdo anë”, thotë Shytaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat