“Kongresi i Përmetit”, kongres që i dha fund monarkisë

Shqipëria

“Kongresi i Përmetit”, kongres që i dha fund monarkisë

Albert Z. Zholi Nga Albert Z. Zholi Më 24 maj 2022 Në ora: 18:40
Kongresi i Përmetit

78 vjet më parë, gjatë datave 24-28 maj, u zhvillua Kongresi i Përmetit, rreth të cilit edhe sot e kësaj dite ka shumë diskutime për rëndësinë historike që ai përcjell. Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it i kanë konsideruar dhe i konsiderojnë ende vendimet e këtij kongresi, si të jashtëzakonshme e jetike edhe sot. Sipas tyre dhe shumë historianëve, ato vendime që u miratuan aty, për kohën e rrethanat kur u morën, për vlerat që patën për LANÇ dhe për vetë fatet e Shqipërisë, hapën një epokë të re në historinë e saj. Por ka edhe nga ata që i kundërshtojnë haptazi këto vendime dhe dalin edhe kundër këtij Kongresi, duke e cilësuar atë si një demagogji komuniste.

MUHARREM XHAFA, Politikan: Kongresi që vendosi pushtetin popullor.

Z. Xhafa, çfarë sinjifikon për ju Kongresi i Përmetit?

Më 24 maj 2022, bëhen 78 vjet nga mbajtja e Kongresit të Parë Antifashist Nacionalçlirimtar Shqiptar, i njohur si Kongresi i Përmetit. Ai u mbajt në qytetin e luleve, të bukur, të lirë, të Përmetit, çliruar nga forcat partizane. Kongresi i Përmetit përbën një ngjarje me vlera të mëdha të LANÇ-it dhe përcjell për të gjithë shqiptarët patriotë një mesazh epokal: Pushteti popullor është i vetmi pushtet i vërtetë në shërbim të atdheut e të popullit! Ky është një fakt historik, të cilin e përcjellim më së pari për brezin e ri të Shqipërisë, por edhe për të gjithë ata që nuk e njohin mirë dhe e kanë mësuar të shtrembëruar historinë e Shqipërisë, përfshirë të vërtetën për Kongresin e Përmetit. Mbledhja e tij nuk ishte një veprimtari e rastit, e thjeshtë, po një domosdoshmëri historike në kushtet e Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Ajo u thirr në bazë të një propozimi të menduar mirë më parë, i paraqitur më 15 prill 1944 nga Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe i miratuar nga Plenumi i KQ të PKSH-së, më 15 maj 1944, i mbledhur në Helmës të Skraparit. Ishte ky një Kongres i mirëorganizuar e me një bazë të gjerë shoqërore, në të cilin morën pjesë 185 delegatë e delegate të zgjedhur nga populli në zonat e çliruara e ato të paçliruara të vendit, si edhe në repartet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Raportin "Mbi zhvillimin e Luftës Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare", në Kongres e mbajti Sekretari i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, shoku Enver Hoxha. Kongresi i Përmetit mori vendime me rëndësi jetësore për LANÇ-in dhe për vendosjen e rendit demokratik popullor në Shqipëri. Në mënyrë përfundimtare, ai zgjidhi çështjen e pushtetit, si çështjen themelore të revolucionit popullor, krijoi kështu shtetin e ri demokratik popullor shqiptar. Kongresi i Përmetit zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional- Çlirimtar (KANÇ-in) të përbërë nga 121 anëtarë si organin më të lartë shtetëror - trupin kryesor ligjvënës dhe ekzekutiv, përfaqësuesin e vetëm të sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar. KANÇ-i zgjodhi Kryesinë e tij, emëroi Komitetin Antifashist Nacional-Çlirimtar me atributet e një Qeverie të përkohshme popullore. Kryetar i Komitetit Antifashist Nacional-Çlirimtar u caktua Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shqipërisë, shoku Enver Hoxha. Kongresi i Përmetit vendosi të ndërtohet Shqipëria e re demokratike popullore, sipas vullnetit të popullit, të cilin, që nga ajo ditë, e shprehte solemnisht Këshilli Antifashist Nacional- Çlirimtar. Po kështu, ai mori edhe disa vendime të tjera me rëndësi të madhe historike për sigurimin e sovranitetit të shtetit e të popullit shqiptar, ndër të cilat: ndalimin e hyrjes së Ahmet Zogut në Shqipëri, si tradhtar i atdheut e kombit shqiptar, mosnjohjen e asnjë qeverie tjetër, që mund të formohej brenda ose jashtë Shqipërisë kundër vullnetit të popullit shqiptar, mosnjohjen e koncesioneve të huaja, vazhdimin e luftës kundër pushtuesve të huaj e shërbëtorëve të tyre tradhtarë vendës, të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, të çdo klike tjetër antishqiptare e reaksionare, e cila mund të paraqitej më vonë etj. “Kongresi i Përmetit” është Kongresi që i dha fund monarkisë. Në lidhje të ngushtë me çështjen e organizimit të pushtetit popullor në një shkallë më të lartë, Kongresi i Përmetit analizoi e zgjidhi edhe çështjen e forcimit të mëtejshëm e të përsosjes së strukturës së Ushtrisë Nacional-çlirimtare Shqiptare si arma kryesore për çlirimin e plotë të vendit e për mbrojtjen e pushtetit të ri popullor, vendosi njësimin e Komandës së Lartë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe dhënien e gradave ushtarake. Shoku Enver Hoxha u emërua Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Kongresi dha orientime për krijimin e divizioneve e të korparmatave si njësi ushtarake të domosdoshme për arritjen e sigurt të çlirimit të atdheut.

Përse e vlerësoni ju Kongresin e Përmetit?

Sepse ai përbën një ndër faqet më të lavdishme të historisë së LANÇ-it e të krejt historisë së popullit shqiptar. Jo vetëm atëherë, por edhe sot, vendimet e tij i tmerrojnë borgjezinë e pushtetin e saj antipopullor e antishqiptar. Sot, borgjezia dhe pushteti i saj e kanë hedhur poshtë e mohuar Kongresin e Përmetit e vendimet e tij, kanë rehabilituar pushtetin antikombëtar e profashist të Ahmet Zogut, të reaksionit! Komunistët e vërtetë as janë pajtuar me vendimet e qeverive profashiste e as e kanë pranuar këtë krim kundër pushtetit popullor! Kjo nuk ka ndodhur e as ndodh me veteranët e luftëtarët e vërtetë të LANÇ-it dhe me masat e popullit të shtypura e të shfrytëzuara nga pushteti i borgjezisë shqiptare e antikombëtare. Mësimet dhe vendimet e Kongresit të Përmetit nuk harrohen, ato janë përherë aktuale e na bëjnë krenarë, ato u tregojnë punëtorëve dhe fshatarëve, gjithë të shtypurve e të shfrytëzuarve, se pushteti i vetëm në shërbim të popullit e të atdheut është pushteti popullor. Kongresi i Përmetit bën apel, sot, për rivendosjen e Pushtetit Popullor. Pushteti Popullor nuk do të lejonte të "lulëzonin" në Shqipëri krimi e korrupsioni, droga e papunësia; nuk do të lejonte që shqipëtarët e atdheu ynë të nëpërkëmbeshin nga bota borgjeze! Pushteti i sotëm është pushteti i borgjezisë, jo i masave të popullit.

Bashkim Qeli, Historian: Ky Kongres, një ndër ditët më të shënuara të historisë sonë

Pse e vlerësoni ju Kongresin e Përmetit?

Ky kongres mbetet një ndër ditët më të shënuara të historisë së Shqipërisë, pasi aty u morën vendime historike, që përcaktuan të ardhmen e atdheut. Ky Kongres për vetë kushtet apo kohën kur u mblodh, detyrat dhe vendimet që mori, tregoi se vizioni i së ardhmes së Shqipërisë ishte projektuar në bazë të situatave të kohës e interesave të gjera të masave popullore. Gatishmëria dhe mikpritja përmetare u shfaq edhe këtë radhë me gjithë madhështinë e saj. Përmetarët, megjithëse të djegur disa herë, hapën zemrat e dyert e shtëpive të tyre për delegatët dhe forcat partizane në mbrojtje të tyre. Në Kongres ishin ftuar edhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik, por ata nuk mundën të merrnin pjesë.

Cilat ishin rezultatet e kësaj ngjarje historike?

Në rezolucionin e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm thuhej: “Në Kongres të përfaqësohen zonat e lira, zonat e pushtuara nga armiku, brigadat dhe batalionet partizane e vullnetare, Bashkimi i Rinisë Antifashiste me 10 delegatë dhe Bashkimi i Gruas me 5 delegatë”. Në zonat e çliruara dhe formacionet e ushtrisë delegatët do të zgjidheshin demokratikisht me votim të hapur nga 3 deri në 5 vetë për çdo komunë. Kongresin e çeli me një fjalim të shkurtër Omer Nishani, i cili ndër të tjera tha: “Se ç’të drejta kemi fituar me luftën tonë dhe si do ta ngremë ne Shqipërinë e re demokratike e popullore, e dëshmon ky Kongres, do ta dëshmojnë përfundimet e tij”. Raportin: “Zhvillimi i Luftës NAÇ të popullit në lidhje me ngjarjet ndërkombëtare” e mbaji Enver Hoxha. Ai ndër të tjera tha: “Kjo që bëjmë sot, është një nga ngjarjet më të mëdha të popullit shqiptar. Për të parën herë populli dërgon përfaqësuesit e vet, që i ka zgjedhur lirisht e që ka besim në ta”. Ndërsa, duke bërë fjalë për sakrificat e mëdha që u bënë gjatë luftës tha: “Kemi pasur vuajtje dhe mundime të mëdha, me të cilat bijtë e popullit tonë, të plagosur, pa bukë, të zhveshur, në borë e furtunë, por me moralin kurdoherë të lartë, kanë treguar trimëri të padëgjuara, me të cilat do të mburren me shekuj brezat e ardhshëm të popullit tonë.

Kastriot Bezati, Historian: Nder për Përmetin që Kongresi u mbajt në qytetin e Rilindasve.

Ju jeni nga Përmeti. Si do ta vlerësonit mbajtjen e këtij Kongresi në qytetin tuaj?

24 maji është një ditë shumë e veçantë, pasi hodhi themelet e 29 Nëntorit, që është dita e çlirimit të atdheut. Kjo ditë mbetet e paharruar, ashtu si Konferenca e Pezës. Për ne përmetarët, zhvillimi i punimeve të këtij Kongresi në qytetin tonë na bën krenarë. Në këtë mënyrë, në Kongres u përfaqësua i gjithë populli, nga jugu në veri, nga terreni dhe ushtria, me parti dhe pa parti, nga radhët e klerit, rinia dhe gruaja. Gjithsej, u zgjodhën 200 delegatë. Edhe sot diskutohet pse u zhvillua ky Kongres në Përmetin e njerëzve të ditur? Kjo ka disa arsye të cilat edhe janë thënë, por edhe janë venitur në disa raste. Ky Kongres, së pari u mbajt në qytetin tonë heroik, sepse qyteti i Përmetit ishte i çliruar dhe me këtë, duhej t’i tregohej opinionit të brendshëm dhe të jashtëm se lufta e popullit shqiptar kishte kaluar nga faza e luftës partizane, në një luftë të rregullt me veprime të mëdha të bashkërenduara, kishte kaluar në fazën e çlirimit të qyteteve. Së dyti, sepse krahina e Përmetit dhe krahinat përreth kishin një pozitë të favorshme strategjike, që mund të mbrohej më mirë nga forcat partizane dhe ato popullore. Dhe e fundit, për të nderuar kujtimin e udhëheqësve të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, që lindën në truallin e Përmetit, poetin e madh Naim Frashëri, filozofin dhe dijetarin e shquar Sami Frashëri dhe revolucionarin e madh, Abdyl Frashëri. Në këto ditë, një rol të veçantë për zhvillimin me sukses të punimeve ruajti dhe Brigada e VI sulmuese, e cila u formua në këtë qytet. Brigada e VI-të zë vend nderi ndër 24 brigadat e LANÇ-it, ato luftuan dhe çliruan bashkë me popullin, Shqipërinë. Nga 20 deri më 26 maj ajo kreu detyrën duke mbyllur drejtimin Vlorë-Tepelenë-Përmet për të siguruar Kongresin e Përmetit. Më pas, ajo mbrojti pozitat e fituara midis Vlorës, Himarës, Sarandës, Mesaplikut e Kurveleshit: ajo bëri që çdo pëllëmbë tokë të kthehet në varr për armiqtë.

Cilat ishin strukturat që zgjodhi ky Kongres?

- Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë, që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore.

U zgjodh edhe një komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin e vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës.

Vendimet

1. Të ndërtohet Shqipëria e re demokratike e popullore sipas vullnetit të popullit, që sot e shpreh solemnisht në Këshillin e Përgjithshëm Antifashist NAÇL.

T’i ndalohet ish -mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe, të mos njihet asnjë qeveri, që mund të formohej brenda ose jashtë vendit kundër vullnetit të popullit.

3. Të vazhdohet më me ashpërsi lufta kundër pushtuesve gjermanë dhe tradhëtarëve shqiptarë, deri në shkatërrimin e tyre të plotë dhe vendosjen e pushtetit demokratik-popullor në të gjithë vendin.

Kurse Këshilli i Përgjithshëm vendosi:

Vendimi mbi rishikimin dhe prishjen e gjithë marrëveshjeve politike dhe ekonomike, që binin në kundërshtim me interesat e popullit dhe të kombit shqiptar.

Vendimi mbi shndërrimin e Ushtrisë NAÇL në ushtri të rregullt, me një udhëheqje të njësuar dhe me një komandë të përgjithshme.

Vendimi mbi dhënien e gradave në ushtri. Vendimi për kalimin e Ushtrisë në mësymje të përgjithshme për çlirimin e plotë të trojeve shqiptare. Kongresi miratoi veprimtarinë e përgjithshme të udhëheqjes së Luftës, dhe udhëzimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NAÇL. Këto përbëjnë ligjet e para të pushtetit demokratik popullor.

Këshillin e Përgjithshëm me 121 anëtarë që përfaqësonin të gjithë vendin dhe të gjitha shtresat shoqërore, pjesëmarrëse në luftë.

- Kryesinë e Këshillit me 25 anëtarë: dr.Omer Nishani, u zgjodh president

Baba Faja Martaneshi, Hasan Pulo dhe Koçi Xoxe nënpresidentë dhe; Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Ramadan Çitaku, Sejfulla Malëshova, Dr.Ymer Dishnica, Liri Gega, Islam Radovicka, Nako Spiru, Tuk Jakova, Mustafa Gjinishi, Haxhi Lleshi, Gogo Nushi, Siri Shapllo, Spiro Koleka, Qiriako Harito, Gjergj Kokoshi, Ollga Plumbi dhe Gaqo Tashko, anëtare. Sekretarë u zgjodhën: Koço Tashko e Sami Baholli. U zgjodh Komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore, të përbërë nga 11 anëtarë. Enver Hoxha, President, Myslym Peza nënpresident, Haxhi Lleshi i ngarkuar me Punët e Brendshme, Dr.Omer Nishani me Punët e Jashtme, Manol Konomi me Drejtësinë, Dr.Medar Shtylla, me Ekonominë, Ramadan Çitaku, me Fianncën, Spiro Koleka me punët botore, Dr.Ymer Dishnica, me Shëndetësinë, Sejfulla Malëshova me Kulturën dhe Arsimin dhe Bedri Spahiu me Rindërtimin ekonomik.

U zgjodh edhe një Komision për zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe për zbulimin dhe vërtetimin e emrave të kriminelëve të luftës. Kongresi u drejtoi përshëndetje: Popujve dhe ushtrisë Sovjetike dhe Marshallit Stalin, Presidentit Rosvelt, Kryeministrit anglez Uilson Chechill. Marshallit Tito, EAMIT grek, Fanolit për shqiptarët e SHBA. Të burgosurve dhe të internuarve brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat