​Shqipëria merr në 1 qershor presidencën e Këshillit të Sigurimit, Rama dhe Xhaçka nisen drejt SHBA

Shqipëria

​Shqipëria merr në 1 qershor presidencën e Këshillit të Sigurimit, Rama dhe Xhaçka nisen drejt SHBA

Më: 30 maj 2022 Në ora: 13:16
​Shqipëria

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka nisen sot drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB (1 qershor – 30 qershor 2022).

Paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.

Vënia para përgjegjësisë e shkelësve të ligjit ndërkombëtar, qofshin shtete apo individë, kërkon bashkëpunim të fortë të gjithë shteteve paqedashëse, duke filluar me anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Debati i kryesuar nga Kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

Takimet e kryesuara nga Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror, të tillë si: debat i hapur drejtuar nga Xhaçka, mbi tematikën Gratë, Paqja dhe Siguria, me nëntemë “Roli i organizatave rajonale për zbatimin e GPS në situata trazirash politike dhe marrje pushteti me dhunë” (15 Qershor); sesion informimi, drejtuar nga Xhaçka, mbi bashkëpunimin mes OKB dhe organizatave rajonale, ku do të ftohet Bashkimi Europian (16 qershor); debat i hapur mbi Metodat e Punës të Këshillit të Sigurimit, drejtuar nga Ambasadori i Shqipërisë në OKB, NY (28 qershor).

Kjo është hera e parë që Shqipëria mban presidencën e KS gjatë mandatit të saj dyvjeçar në Këshill. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të ketë presidencën pak muaj përpara përfundimit të mandatit, në tetor 2023.

Programi i punës i kësaj presidence ndërlidh më së miri përparësitë e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit me zhvillimet më të rëndësishme të sigurisë ndërkombëtare, siç është lufta në Ukrainë.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Rama dhe Xhaçka do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën.

Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat