Rikthehet tritoli! Çfarë po ndodh në Shkodër? Pse po sulmohen efektivët e policisë

Shqipëria

Rikthehet tritoli! Çfarë po ndodh në Shkodër? Pse po sulmohen efektivët e policisë

Më: 2 qershor 2022 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Kohët e fundit Shkodra është kthyer në epiqendrën e sulmeve ndaj efektivëve të policisë. Metoda më e përdorur është ajo e vendosjes së tritolit në banesa apo edhe në bizneset e tyre. Sot një tjetër efektiv policie ra pre e sulmit me tritol nga persona të panjohur në Shkodër duke e rënduar bilancin e sulmeve ndaj uniformave blu.

Shtëpisë Pëllumb Vukës gjatë natës i është vënë tritol. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:25 në fshatin Hot i Ri. Sipas asaj që raporton policia, tritoli është vendosur në murin e banesës dhe si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale. Po ashtu është dëmtuar edhe një makinë tip “Benz” që ishte parkuar para banesës së policit 49-vjeccar. Pëllumb Vuka, në komisariatin e Shkodrës mban detyrën si oficer krimesh. Në momentin e shpërthimit ai ka qenë në shtëpi së bashku me familjen e tij. Pista kryesore e hetimeve është për shkak të detyrës. Në dëshminë e parë të dhënë para kolegëve, Vuka ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë.

Më 20 Maj një efektiv policie u sulmua me tritol

Një person mashkull i maskuar si femër, me paruke me flokë të gjata në kokë dhe i veshur me një fustan ndez fitilin dhe i vë tritolin lokalit në pronësi te policit Ndrek Rrasa, në Grudë të Shkodrës dhe më pas të njëjtin veprim kryen duke i vendosur lëndën plasëse poshtë automjetit të efektivit. Gjithçka ndodhi për 20 sekonda, rreth orës 2 e 30 minuta, ku autori nëse nuk do të vraponte mund të rrezikonte edhe veten. Policia e Shkodrës njofton se nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale në lokal, ndërsa është djegur plotësisht automjeti në pronësi të 46-vjeçarit Rrasa. Ai është efektiv i policisë së Shkodrës pranë sektorit të patrullës dhe gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë. Dyshimet e para nga grupit hetimor janë se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës.

Më 14 Maj të këtij viti, i vihet flaka makinës së Sokol Kronit

Në orët e para të mëngjesit të 14 Majit në lagjen “Tre Heronjtë” të Shkodrës i është vënë flaka makinës në pronësi të Sokol Kronit, punonjës i policisë në Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti. Një person i maskuar duke i hedhur benzinë automjetit tip “Mitsubishi” i parkuar pranë banesës së 54-vjeçarit Kroni. Personi pasi i vë flakën largohet me shpejtësi. Deri më tani, autori i kësaj ngjarje ka mbetur i paidentifikuar nga policia.

Më 28 prill, i digjet makina efektivit Dritan Turhani

Automjeti i efektivit të Forcave Operacionale të Shkodrës, Dritan Turhani është shkrumbuar gjatë natës së 28 prillit pranë banesës së tij në lagjen “Perash” të Shkodrës. Hetuesit kanë dyshime se është djegie e qëllimshme pasi janë gjetur gjurmë të lëndëve djegëse.

Këto ngjarje të njëpasnjëshme në qytetin verior të Shkodrës, dyshohet se lidhen me aksionet e vazhdueshme që po kryhen në këtë zonë, kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Deri më tani asnjë prej autorëve të këtyre ngjarjeve nuk është kapur. Kujtojmë se në ndihmë të efektivëve të policisë kanë ardhur vazhdimisht edhe policia italiane e Guarda di Finanza, ndërsa drejtuesit e uniformave blu vijojnë të bëjnë thirrje kundër kanabizimit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat