Humbi jetën nga atentati me tritol, zbulohet e shkuara e errët e Aleksandër Sadikajt

Shqipëria

Humbi jetën nga atentati me tritol, zbulohet e shkuara e errët e Aleksandër Sadikajt

Më: 11 qershor 2022 Në ora: 15:09
Pamje nga vendi i ngjarjes

Detaje të reja dalin në dritë nga atentati me lëndë plasëse që i mori jetën mesditën e kësaj të shtune 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj.

Mësohet se i riu ka qenë i proceduar më herët për një tentativë për vrasje, me origjinë nga qyteti i Beratit. Pista e hakmarrjes, mbetet deri tani shkaku kryesor i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur sot në kryeqytet.

Mjeti që drejtonte Sadikaj, ishte duke lëvizur nga Tirana në drejtim të Elbasanit, në momentin kur shpërtheu lënda plasëse, e më pas flakët në makinë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, ekipi antieksploziv i RENEA-s dhe Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur po ashtu dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Lorenc Paganika, i cili i është bashkuar grupit hetimor që po mbledh provat.

Fillimisht Sadikaj u pa i gjymtuar në rrugë, por si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën disa minuta më vonë.

Burime bëjnë me dije se Sadikaj udhëtonte i vetëm në momentin e shpërthimit të lëndës plasëse, e cila dyshohet se është komanduar me telekomandë.

Autorët e kanë vendosur në makinën e Sadikajt, dhe më pas kanë kryer shpërthimin e saj, në një nga zonat me trafikun më të dendur në kryeqytet.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat