Çupi zbulon çfarë do ndodhë me Metën pas 24 korrikut

Shqipëria

Çupi zbulon çfarë do ndodhë me Metën pas 24 korrikut

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 12:37
Frrok Çupi

Analisti Frrok Çupi ka paralajmëruar pas datës 24 korrik do të ketë zhvillime të rëndësishme. Ai deklaroi se presidenti Ilir Meta do të kthehet në kamikaz dhe hedhë veten në erë nga frika se do japë llogari për krimet. Analisti tha, se fajtorët e mëdhenj të tre dekadave në vend, të japin llogari dhe të dorëzojnë mallin e vjedhur.

“Pse kryen vetëvrasje presidenti sapo del nga zyra? Është data 24 e muajit qershor, fiks për 30 ditë presidenti i Republikës lë zyrën dy katesh në Bulevardin e Madh, ndërtuar si një barakë për ambasadën e BS në vitin 1959, ku as ambasada vetë nuk u vendos kurrë. Atë ditë, dmth., 24 korrik,  ka deklaruar ai,  ‘do të niset për në flakën e Revolucionit’. Ka lënë edhe një pikë- takimi me presidentin e parë pas vitit 1992, dhe duket fiks si një nga takimet entuziaste të disa nordikëve etj, që kam parë dikur duke iu afruar Kanalit të Korinthit për të vrarë veten. Vetë dhuna për marrjen e pushtetit, që këta duan ta quajnë ‘revolucion’ është fundi i tyre. Kthehen, nëse do të kthehen, pikërisht aty ku kanë kryer krimet, mbi njeriun e vjedhur, të dhunuar dhe të mashtruar prej tyre. Edhe sikur të mos ishte Shtetet e Bashkuara, që po ruan vendin tonë dhe rajonin prej kërcënimit të Metës e Berishës, vetë populli shqiptar është aq i gërditur prej tyre saqë nuk do të duronte asnjë minutë. Por gjithë bota e di se po pritet momenti kur fajtorët e mëdhenj të tre dekadave në vend, të japin llogari dhe të dorëzojnë mallin e vjedhur”, tha ai.

Çupi: Vetëvrasje do bëjnë ata që kanë bërë mëkate

Analisti Frrok Çupi, deklaroi se ata që kanë bërë pasuri, pushet dhe kanë bërë mëkate do bëjnë vetëvrasje. Ai deklaroi se kur ata të bëjnë vetëvrasje kjo do tu vij natyrshëm.

“Sa shkon këtu fjala ‘mirë’ për aktin e vetëvrasjes?! Nuk po them se ‘punë e madhe’ pse disa bëjnë vetëvrasje, natyrisht. Por edhe ndonjë gjë ‘tragjike’ në rastin tonë të ‘vetëvrasjes’ nuk është. Sepse nuk po flas për ata që vuajnë nga depresioni, skizofrenia, borxhi, alkoolizmi, varësia nga droga, të pastrehët ose një kombinim i të gjithave. Po flas për vetëvrasjen e njerëzve të famshëm; këta që kanë grumbulluar shumë pasuri, shumë pushtet, shumë mëkate…, prandaj edhe shkojnë deri në vrasjen e vetes. Këta i kemi rreth nesh, ose çdo natë në ekranet e televizionit, ose në konferenca, ose në karshillëk me njerëzit. Po vrasin veten dy presidentë, disa ministra, duzina me servilë dhe hajdutë, duzina me të pakënaqur me këtë jetë ku ‘të tjerë po vjedhin në vend që të vjedhim ne’. Pasi kryen krimet e korrupsionit, vjedhjes dhe minimit të demokracisë, këta nuk u ndalën dot, por i kanë hyrë luftës ‘deri në fund’. Ndërsa marrin me vete qindra, sa naivë aq edhe ‘braca’ të vegjël që janë mësuar të fusin duart në xhepat e shtetit. Këta e mendojnë vetëvrasjen e tyre një akt heroik dhe plot lavdi. Pas datës 24, sapo të shfaqen në rrugët e qytetit duke kryer akte dhune dhe terrorizmi, aty do të kenë edhe fundin. Vetëvrasja e tyre vjen natyrshëm, si në një nga novelat e Albert Kamysë”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat