Vjedhje, plagosje dhe trafik droge, ekstradohen 4 shqiptarë nga Italia, Gjermania dhe Franca

Shqipëria

Vjedhje, plagosje dhe trafik droge, ekstradohen 4 shqiptarë nga Italia, Gjermania dhe Franca

Më: 25 qershor 2022 Në ora: 15:30
Foto ilustrim

Interpol Tirana

Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit me homologët europianë janë kapur në Itali, Gjermani dhe Francë, si dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 4 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

٠Në kuadër të bashkëpunimit me homologët italianë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia, shtetasi shqiptar:

Bekim Lekaj, 30 vjeç, banues në Tropojë.

Këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër e ka dënuar me 8 vjet, 2 muaj e 10 ditë burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë.

٠Nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Stuttgart, Gjermani, drejt vendit tonë, shtetasi shqiptar:

Romario Kapidani, 28 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 5 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj burgim.

٠Gjithashtu, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Dusseldorf, Gjermani, shtetasi shqiptar:

Ervis Martini alias Ervis Krasniqi, 29 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

٠Në vijim të bashkëpunimit me homologët francezë, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Parisi, Francë, shtetasi shqiptar:

Deivis Jaho, 30 vjeç, lindur në Kamzë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Zyrat Qendrore përkatëse të Interpol-it në Europë, u bë i mundur arrestimi i këtyre shtetasve, si dhe u finalizua ekstradimi i tyre drejt vendit tonë, me qëllim vuajtjen e dënimit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat