DEA amerikane me zyrë në Tiranë? Flet drejtori i Policisë së Shtetit: Ja si qëndron e vërteta

Shqipëria

DEA amerikane me zyrë në Tiranë? Flet drejtori i Policisë së Shtetit: Ja si qëndron e vërteta

Më: 27 qershor 2022 Në ora: 19:31
Foto ilustrim

DEA amerikane nuk ka asnjë zyrë në Tiranë dhe se lajmet që qarkullojnë nëpër media nuk janë të vërteta. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i pyetur nga Panorama.al tha se aktualisht nuk ka asgjë zyrtare.

Megjithatë mendohet se ka negociata që në të ardhmen të ketë një zyrë të agjentëve të anti drogës amerikane edhe në Shqipëri.

Kujtojmë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano pak kohë më parë zhvilloi një vizitë në Washington ku takoi edhe shefin e FBI-së, Christopher Wray.

Fillimisht lajmi se në Shqipëri u hap zyra e DEA-s u bë publik nga eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço: “DEA mirëseerdhët! Ishte koha e duhur për të hapur zyrën në Tiranë. Athina po bëhej gjithnjë e më e largët për punët e ngutshme që diktojnë prezencën tuaj këtu….”, shkruan Karamuço në facebook.

Edhe gazetarja Anila Hoxha konfirmoi se nuk është e vërtetë që DEA ka ngritur një zyrë në Tiranë. Ajo u shpreh se ka burime të sigurta se DEA pavarësisht se është e vendosur në Greqi për të gjithë rajonin, I kontrollon të gjitha operacionet në të gjitha etapat e tyre.

“Lajmi i mirë është se DEA pavarësisht se është i vendosur në Greqi, kontrollon të gjitha operacionet , kryesisht ndërkombëtaret të stimuluara apo ato që quhen me dorëzim të kontrolluar. Në disa nga operacionet e viteve të fundit, të dyja palët edhe trafikantët vendosin GPS për të kontrolluar dërgesat, por edhe DEA vendos të tilla për të kontrolluar dërgesën derisa të shkojë në destinacionin final. DEA kontrollon shumë mirë të gjitha operacionet”, është shprehur Anila Hoxha në Tch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat