Rama pretendon se në Shqipëri është zbuluar naftë dhe gaz natyror

Shqipëria

Rama pretendon se në Shqipëri është zbuluar naftë dhe gaz natyror

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 14:18
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Fotografi nga arkivi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar të martën që një kompani ndërkombëtare ka zbuluar rishtas në territorin e Shqipërisë sasi të mëdha nafte dhe gazi natyror, gjetje që ai ka pretenduar do të ndryshojnë ekonominë shqiptare dhe të ardhmen energjetike të Evropës.

Gjatë një vizite në Holandë ku po takon investitorë holandezë, Rama ka thënë se kompania multinacionale Shell, që është njëra nga kompanitë më të mëdha naftësjellëse globale e që po hulumton burimet potenciale të këtyre resurseve natyrore përgjatë bregdetit shqiptar, ka bërë “një zbulim shumë të rëndësishëm” në Shqipëri.

Rama ka deklaruar se kompania e përfshirë në hulumtim nuk ka dhënë shifra për publikun dhe Shell nuk është prononcuar për gjetjet e pretenduara në Shqipëri.

“Ata hezitojnë të flasin për shifra për momentin, por shenjat tregojnë se mund të jemi në fazën e një zbulimi shumë të rëndësishëm në tokë të gazit dhe naftës që jo vetëm do të ndikojë jashtë mase të ardhmen e vendit tonë, por në këto rrethana të caktuara do të luajë rol në të ardhmen energjetike të Evropës”, u shpreh ai.

Shqipëria dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë në krizë çmimesh pas lëkundjeve në treg për shkak të vështirësive me furnizim me naftë dhe gaz si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë dhe sanksioneve të vëna nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ndaj Rusisë.

Që nga fillimi i luftës në fund të muajit shkurt, Shqipëria i është bashkangjitur sanksioneve ndaj Rusisë.

Ndonëse shteti nuk ka varësi të drejtpërdrejtë nga gazi dhe nafta ruse, Shqipëria aktualisht nuk i përmbushë nevojat e saj energjetike, duke u detyruar që një sasi të konsiderueshme të energjisë ta importojë me çmime të larta nga bursat ndërkombëtare.

Kjo gjendje ka rënduar koston e jetesës në Shqipëri, një ndër shtetet me bruto prodhimin më të vogël në Evropë.

Sipas Bordit të Transparencës, çmimi i naftës në Shqipëri të martën është ngritur sërish në 252 lekë (2.14 €) për litër të naftës nga 243 lekë (2.07€) dhe 241 lekë (2.05 €) për litër të benzinës nga 235 lekë (2.00 €).

Rritja e vazhdueshme e kostos së jetës në Shqipëri, ku rroga mesatare është 490 euro dhe niveli i varfërisë sipas Bankës Botërore arrin në rreth 30 për qind të popullsisë, ka nxitur protesta në mbarë Shqipërinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat