​Shqipëri, inflacioni arrin në 7.4%

Shqipëria

​Shqipëri, inflacioni arrin në 7.4%

Më: 3 gusht 2022 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot se, çmimet e konsumit shënuan rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Sipas tij, inflacioni shënoi rritje progresive gjatë kësaj periudhe, duke kulmuar në nivelin 7.4% në muajin qershor.

Rritja e inflacionit pasqyroi kryesisht çmimet më të larta të artikujve ushqimorë, të naftës dhe të transportit. Megjithatë, rritja e çmimeve ishte e pranishme në një kategori të gjerë produktesh, duke ilustruar përcjelljen e goditjeve të ofertës edhe në çmimet e artikujve të tjerë të shportës.

Guvernatori Sejko tha se, ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. Konflikti në Ukrainë dhe sanksionet e vendosura ndaj Rusisë kanë sjellë një rritje të shpejtë të çmimeve në tregjet botërore dhe kanë filluar të pasqyrohen në ngadalësim të ritmeve të rritjes ekonomike.

“Përkundrejt këtyre zhvillimeve, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri relativisht solide në gjysmën e parë të vitit. Vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 6% në tremujorin e parë të vitit dhe treguesit indirektë sugjerojnë rritje të mëtejshme në tremujorin e dytë. Kjo ecuri pasqyron bilancet e shëndosha financiare të biznesit dhe familjeve, fleksibilitetin operacional të sektorit privat, si dhe rezistencën e sistemit financiar shqiptar ndaj goditjeve”, deklaroi Sejko.

Ai referoi se, rritja ekonomike është diktuar nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve të sektorit privat, si dhe i eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka sjellë rritjen e faturës së importeve, ndërsa politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese.

Sipas tij, zgjerimi i kërkesës agregate është mbështetur nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Kursi stimulues i politikës monetare ka krijuar një ambient financiar me norma të ulëta interesi, likuiditet të bollshëm dhe prime të kontrolluara rreziku. Kërkesa e brendshme për kredi vijon të mbetet e lartë, ndërsa sektori bankar vijon të ofrojë kushte e terma të favorshëm kreditimi. Për rrjedhojë, rritja e kredisë për sektorin privat regjistroi vlerën 13.8% në muajin qershor, duke ruajtur trendin pozitiv të shfaqur gjatë vitit të shkuar. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë vijon të mbetet e shëndetshme, sikundër ilustrohet edhe nga treguesi i kredive me probleme i cili mbetet në nivelet më të ulëta të dekadës së fundit.

Paralelisht me këto zhvillime, kursi i këmbimit të lekut ndaj euros ka shfaqur tendenca forcimi gjatë dy muajve të fundit. Ky forcim pasqyron hyrjet e larta valutore në përgjigje të sezonit të mirë turistik dhe ndihmon në zbutjen e një pjese të goditjes së ofertës që vjen nga tregu i huaj, tha Guvernatori.

Zgjerimi i kërkesës ka sjellë një shfrytëzim më të mirë të potencialit prodhues. Në veçanti, tregu i punës vijon të karakterizohet nga rritje e punësimit, rënie e papunësisë dhe rritje e shpejtë e pagave në sektorin privat, ndërsa bizneset raportojnë një përdorim më të lartë të kapaciteteve prodhuese. Këto zhvillime japin sinjale inkurajuese për vijimin e rritjes ekonomike në periudhën në vazhdim.

Projeksionet e skenarit bazë sugjerojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv gjatë horizontit afatmesëm. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vijojë të mbështetet nga rritja e kërkesës së brendshme e të huaj dhe të ushqehet nga bilancet e shëndetshme financiare të ekonomisë, rritja e punësimit, e pagave dhe e kredisë.

Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta gjatë vitit 2022 dhe të reduktohet më tej. Në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend.

Në të njëjtën kohë, normalizimi i politikës sonë monetare do të krijojë kushte më të përshtatshme financiare për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë dhe reduktimin e inflacionit. inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë 3% në gjysmën e parë të vitit 2024./Atsh

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat