Kumbaro reagon për herë të parë për tragjedinë në Himarë

Shqipëria

Kumbaro reagon për herë të parë për tragjedinë në Himarë

Më: 4 gusht 2022 Në ora: 00:59
Mirela Kumbaro

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka reaguar për herë të parë pas tragjedisë së djeshme në Himarë, ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas nga një gomone.

Me anë të një postimi në Twitter, Kumbaro deklaron se tragjedia e djeshme ka ndodhur për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, rregull e normë.

Ajo bën thirrje që drejtësia të bëjë punën e saj pa kompromise, ndërsa shton se dënim maksimal duhet të jepet për këdo që thyen ligjet dhe rrezikon të shkaktojë humbje jete.

“Tejet e rëndë dhimbja për ngjarjen e kobshme në bregdetin e Himarës, ku një engjëll nuk është më mes nesh për shkak të marrëzisë së një njeriu që theu çdo ligj, çdo rregull e çdo normë me pasoja tragjikisht të pakthyeshme!

Me vetëdijen se nuk ka fjalë të shërbejë sado pak si ngushëllim për prindërit, familjen për gjëmën që pësuan, kërkesa shkon për Drejtësinë që të bëjë punën e saj, pa asnjë kompromis, me dënim maksimal ndaj kujtdo që thyen ligjet e përbashkëta dhe rregullat dhe rrezikon të shkaktojë

humbje jete, në tokë a në ujë qoftë! Kërkesa shkon edhe për Policinë e Shtetit po ashtu, për çdo punonjës të saj në territor, që të jetë në lartësinë vigjiluese dhe ndëshkuese që uniforma i imponon për kryerjen e detyrës. Jonada e vogël u prehsh ne paqe”, ka shkruar Kumbaro.

Reagimi i ministres Kumbaro vjen ndërsa shoqëria civile ka paralajmëruar një protestë ditën e nesërme, ku do të kërkohet shkarkimi i Kumbaros, Gledis Nanos dhe Bledi Çuçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat