Alibeaj reagon ndaj arrestimit të ish-shefit të policisë

Shqipëria

Alibeaj reagon ndaj arrestimit të ish-shefit të policisë

Më: 11 gusht 2022 Në ora: 23:46
Enkelejd Alibeaj

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar me anë të një postimi në ‘Facebook’, në lidhje me arrestimin e ish-shefit të policisë në Dhërmi, Sokol Bode. Ky i fundit ishte dënuar me 8 vite burg në mungesë, pasi akuzohet për lidhje me grupin e ‘Habilajve’.

Alibeaj thekson se arrestimi pas 5 vitesh arrati të Bodes është dëshmi e qartë se Policia e Shtetit ishte vënë në dispozicion të bandës së drogës në Vlorë. Sipas tij, Partia Demokratike ka denoncuar me prova përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Ai shtoi se; “Tashmë është e qartë se e gjitha kjo bëhej me bekimin e kryeministrit dhe ekzekutohej nga vartësi i tij besnik Saimir Tahiri.”.

Reagimi i tij:

Sokol Bode, ish-shefi i policisë në Dhërmi prej nga niseshin tonelata e drogës drejt Italisë e Greqisë arrestuar sot pas 5 vitesh arratie është dëshmia më e qartë se Policia e Shtetit ishte vënë në dispozicion të bandës së drogës në Vlorë, e ku përgjimet tregojnë qartë sesi shefat e policisë punonin nën urdhrat e shefave të krimit e të trafikut.

Për më shumë se 9 vite, Partia Demokratike ka denoncuar me prova përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës. Tashmë është e qartë se e gjitha kjo bëhej me bekimin e kryeministrit dhe ekzekutohej nga vartësi i tij besnik Saimir Tahiri.

Qeveria e Rilindjes në pushtet për vite më radhë e kanabizoi vendin dhe në krye të këtij operacioni kriminal qëndronte kupola e policisë, ministrisë së brendshme dhe kryeministrit.

Shqipëria ende vazhdon të mbetet peng i krimit e bandave. Edi Rama nuk mund ta luftojë dot krimin dhe trafikun e drogës, pasi ata e kanë sjellë në pushtet duke blerë e grabitur vota për të dhe sot ai nuk është gjë tjetër veçse peng i bandave të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat