Zbardhet dosja e italianëve që shisnin ar të rremë

Shqipëria

Zbardhet dosja e italianëve që shisnin ar të rremë

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 18:50
Foto ilustrim

Një rrjet social komunikimi mes koleksionistëve dhe pronarëve të argjendarive në Shqipëri dhe jo vetëm çoi në kapjen e dy shtetasve italianë që nëpërmjet mashtrimit kishin shitur ar të rremë në vlerën e mbi 200 mijë Eurove në Mal të Zi dhe Tiranë.

Të dhënat e hedhura në këtë rrjet social ku viheshin në dijeni pronarët e tjerë për aktivitetin e italianëve dhe foto e tyre, u aksesuan nga policia e cila nisi hetimet.

Në dosjen që Tv Klan disponon, thuhet se Fortunato Maddaloni dhe Riccardo Gennario njiheshin edhe nga komuniteti në Itali si mashtrues.

Ata rezultojnë të kenë hyrje-dalje në Shqipëri që prej muajit Maj dhe mashtrimin e parë në vendin tonë e kanë bërë në 2 Qershor, ku i kanë shitur një argjendarie ar të rremë për 100 mijë Euro.

Në 30 Korrik, dy shtetasit italianë duke u prezantuar me emra të tjerë, i shitën arin e përzier më metale të tjera edhe një argjendarie në Malin e Zi me vlere prej 135 mijë Eurosh.

Në Shqipëri u rikthyen në 11 Gusht dhe prej këtij momenti kanë qenë në vëzhgim deri kur u arrestuan në Elbasan me një çantë ku mbanin arin e rremë në 6 qese, teksa të vërtetin e kishin të fshehur në shuallin e këpucës. 

Policia ka proceduar edhe një shtetas shqiptar, i cili ka penguar hetimet dhe dyshohet se kanë pasur bashkëpunëtorë të tjerë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat