Dy viktimat e sotme në Vlorë morën pjesë në vrasjen e “Arbenit të Çeçesë”, si ndodhi sherri për një kalë në 2019

Shqipëria

Dy viktimat e sotme në Vlorë morën pjesë në vrasjen e “Arbenit të Çeçesë”, si ndodhi sherri për një kalë në 2019

Më: 18 gusht 2022 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

Shpati Lena 37-vjeç u eliminua sot në një atentati mafioz bashkë me mikun e tij Hakim Xhezo. Dy viktimat udhëtonin me makinën e tyre tip “Mercedez B-Class”, ku një makinë tip “BMW” i ka parakaluar dhe personat që ishin brenda saj kanë hapur zjarr duke i lënë të vrarë në vend. Makina e viktimave ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, ndërsa pak minuta pas ngjarjes makina e autorëve është gjetur e shkrumbuar Çerven të Fierit.

Shpati Lena është një emër i njohur për policinë e shtetit. Ai prej vitesh ishte në kërkim si bashkëpunëtor në krim të vrasjes së Arben Beqirajt në nëntor të 2019, por pavarësisht kësaj ata lëviznin të lirë në qytet. Ai u arrestua 23 mars të këtij viti bashkë me Ariel Kingjin.  Dyshja së bashku me Kristo Drolli u arrestuan teksa lëviznin të lirë me makinë. Ata lëviznin me armë në lagjen “Uji i Ftohtë”

Si ndodhi ngjarja ku u përfshinë të arrestuarit?

Fakti që një kalë i ka prishur qetësinë disa pushuesve që po bënin plazh në Vlorë, ka shërbyer për keqtrajtimin në grup të rojës së kalit. Gazmend Alushi, i cili paguhej 100 mijë lek të vjetra në muaj nga Ermal allias Eduart Xhezo për kujdesin ndaj kalit, është dhunuar me grushte e shkelma në 4 gusht 2019 nga Arben Beqiraj, djali i tij dhe persona të tjerë familjarë që ndodheshin në lokal. Fill pasi ka shpëtuar nga rrahja e mirë, Gazmendi ka shkuar në banesën e tij, ku aty i kishte shkuar Ermali duke i thënë se kush e kishte rrahur, dhe Alushi i ka pohuar se ishte dhunuar nga “Arbeni i Çeçesë”.

Ermal Xhezo, ka mobilizuar shokët e tij si Shpati Lena dhe kunatin e tij Ariel Kingji, ku të gjithë janë armatosur me automatikë dhe pistoleta, duke shkuar në ambientet e lokalit të Arben Beqiraj, për t’u sqaruar lidhur me rrahjen që ata i kishin bërë kujdestarit të kalit të Ermal Xhezot. Teksa kanë shkuar për t’u sqaruar, janë në një tavolinë dhe më pas kanë nisur përplasjet fizike deri në përdorimin e armëve, duke sjellë vrasjen e Arben Beqirajt dhe plagosjen e Nesim Hodaj.

Kjo ngjarje tronditi qytetin e Vlorës në pikun e sezonit turistik. Autor i vrasjes ka qenë Eduart Xhezo, i arrestuar, teksa shoku dhe kunati i tij kanë bashkëpunuar në krim.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat