Mbyllja e Kolegjit turk, protestojnë nxënëset. Reagon Rama

Shqipëria

Mbyllja e Kolegjit turk, protestojnë nxënëset. Reagon Rama

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 19:47
Protesta në Tiranë e nxënëseve të Kolegjit turk "Mehmet Akif", i mbyllur javën e shkuar me vendim të qeverisë

Në Shqipëri nxënëset e Kolegjit turk “Mehmet Akif”, protestuan sot përpara institucioneve shteërore kundër vendimit për mbylljen e këtij institucioni arsimor privat. Ato u ndalën fillimisht përpara dyerve të ministrisë së Arsimit, e cila e ka motivuar mbylljen e kolegjit me arsyetimin se ka nisur procesin mësimor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara nga ministria dhe se kriteret ligjore nuk janë plotësuar.

Nxënëset e kolegjit i bënë thirrje autoriteteve të rishikojnë vendimin dhe t’i lejojnë ato të kthehen në klasat e kolegjit. Me këtë kërkesë ata u ndalën më pas dhe përpara godinës së qeverisë.

Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Twitter.

Sipas tij “nxënëset e shkollës së mbyllur duhet të protestojnë kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e spostuan aktivitetin gjetkë, pa marrë leje sipas ligjit e pa respektuar rregullat e parashikuara ligjërisht”.

 

Me arsyen e mungesës së një miratimi për vendodhjen e tij, është mbyllur dhe një kopësht privat, pjesë e “Turgut Ozal Education”, ndonëse zhvillon aktivitetin aty që prej vitit 2004. Gjykata Administrative e Tiranës, hodhi sot poshtë kërkesën e “Turgut Ozal”, për pezullimin e vendimit për mbyllje. Çështja pritet t’i kalojë tani Apelit administrativ. Procesi u ndoq dhe nga prindër të fëmijëve që janë në këtë kopësht, duke folur për një “vendim të padrejtë”, ndërsa vlerësuan “kushtet mjaft të mira që ofrohen”, nga ky institucion.

Autoritetet kanë këmbëngulur në arsye që sipas tyre lidhen rreptësisht me kriteret ligjore, por vendimet ndaj dy institucioneve arsimore private, janë parë si një nënshtrim i tyre ndaj kërkesave të përsëritura të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, për të ndaluar aktivitetet e financuara nga kleriku Fetullah Gulen, i akuzuar për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016.

Kësaj teze i mëshi dhe sot opozita. Ish kryeministri Sali Berisha, i cili drejton Partinë Demokratike, e quajti kryeministrin Edi Rama “një vasal të presidentit turk Erdogan” dhe foli për “një vendim të turpshëm. Një vendim që ka në bazë lidhje jashtëzakonisht të sëmura dhe të dyshimta. Si mundet kryetari i qeversië së një vendi me urdhër të një presidenti të një vendi tjetër t’u vendosë çelësin kopshteve dhe shkollave të vendit. E dënoj me forçën me të madhe këtë vendim absolutisht antidemokratik dhe antishqiptar të një njeriu”, u shpreh zoti Berisha./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat