Pedagogët në Shqipëri kërkojnë rritje pagash

Shqipëria

Pedagogët në Shqipëri kërkojnë rritje pagash

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 17:41
Protesta e pedagogëve në Tiranë më 5 tetor 2022.

“Meqë ora mësimore është e shenjtë, përse paguhet 5 euro?”. Kjo ishte një nga pankartat në protestën që zhvilluan më 5 tetor pedagogët e Universitetit të Tiranës, të cilët po kërkojnë rritje pagash.

Përreth një orë ata protestuan para Universitetit Politeknik ku përsëritën kërkesat e tyre, që përfshijnë edhe rritjen e financimin e kërkimeve shkencore dhe transparencë për buxhetin dhe të ardhurat e universiteteve publike.

Pedagogët në Shqipëri po kërkojnë që pagat të rriten për 50 për qind, duke këmbëngulur që këtë vit të aplikohet një rritje prej 30 për qind dhe në 2023, pagat të rriten për 20 për qind.

Në kohën që pedagogët po mbanin fjalime në protestë, përgjigjen për kërkesën për rritje page e morën nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai, gjatë inspektimit të punimeve në kompleksin rezidencial në kampusin universitar në Universitetin Bujqësor të Tiranës, tha se Qeveria shqiptare ka vendosur që pedagogëve t’u rriten pagat për 7 për qind.

“Universiteti i Tiranës ka rreth 800 pedagogë. Janë mbi 400 që kanë financim ekstra falë meritës së tyre, falë punë së tyre, falë angazhimit brenda për brenda strukturës dhe falë faktit që nga ne e nisëm këtë fazë tjetër pas zgjedhjes së rektorëve të rinj, me fondet evropiane, kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrim akoma shumë më tepër, por ama ishim të fundit, në fund të pusit, sot nuk jemi ndër të parët, por ama jemi duke hedhur hapa falë angazhimit të pedagogëve, falë angazhimit të rektorëve, falë dekanëve. Kështu që ne do të bëjmë një rritje pagash prej 7 për qind, por nuk do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vetë”, tha Rama.

Por, ky vendim i Qeverisë u konsiderua si lëmoshë nga pedagogët. Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Arsimit të Lartë, Aleksandër Kovaçi, i bëri thirrje kryeministrit Rama të reflektojë.

“Ne nuk mjaftohemi me lëmoshë. E kuptoni ku arrin situata qesharake në Shqipëri? Ne qëndrojmë në shifrën 50% për dy vjet. Kjo është e panegociueshme, sepse është minimale”, tha Kovaçi.

Lidhur me qëndrimin e pedagogëve reagoi ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi. Ajo u kërkoi pak mirëkuptim pedagogëve, ndërsa bëri publik vendimin për rritje pagash për disa kategori.

“Mbështetja jonë për universitetet nuk do ndalet këtu do vijojë dhe vitet e ardhshme do i ftoj kolegët e mi të jenë pak më realistë për kushtet ku ndodhemi. Shtatë për qind u rrit edhe paga e zjarrfikësve, imagjinoni sakrificat që bëjnë që hidhen në zjarr e në kushtet që ndodhemi rritja për ta është e tillë. Unë kërkoj mirëkuptim, por do i ftoja të rrisim përpjekjet tona të përbashkët për të rritur të ardhurat e universiteteve dhe kapacitet për të thithur sa më shumë fonde nga BE”, tha ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

Aktualisht pagat e pedagogëve në arsimin e lartë në Shqipëri variojnë nga 73 mijë lekë (rreth 630 euro) më e ulëta deri në 130 mijë (rreth 1.120 euro), kjo në varësi edhe të titujve dhe pozitës që ata kanë në organikën e fakulteteve. Pjesë e protestës sot në Tiranë ishin edhe përfaqësues të universiteteve në rrethet e tjera, si Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan etj.

Kjo ishte protesta e dytë, pas asaj që zhvilluan më 15 shtator para Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Pedagogët thanë se nëse Qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre, ata do të protestojnë sërish, dhe kërcënuan se do ta bojkotojnë edhe mësimin./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat