Dita botërore e mësuesit/ Në Shqipëri janë 31 mijë mësimdhënës

Shqipëria

Dita botërore e mësuesit/ Në Shqipëri janë 31 mijë mësimdhënës

Më: 5 tetor 2022 Në ora: 20:23
Foto ilustrim

5 tetori është Dita Botërore e Mësuesit.

Në Shqipëri ky komunitet numëron 31 mijë mësues. Këtu ndodhem në një nga klasat e nënta të shkollës 9-vjeçare “Dora D’Istria” në Tiranë.

“Ne kemi disa vite që e festojmë këtë ditë botërore në klasën tonë. Përgatisim kartolina për mësues që ata i duan dhe ua dhurojnë”- shprehet Silava Çela, mësuese e gjuhës, shkolla 9-vjeçare “Dora d’Istria” në Tiranë.

Në një prej kartolinave shkruhet: “Një mësues është një yll që i mëson të tjerët se si të shkëlqejnë”.

“Unë e kam nisur mësimdhënien në vitin 2005, kam 17 vjet në arsim. Jap lëndën e Gjuhës Shqipe. Kam ëndërruar t’u ngjaj mësueseve të mia. Kjo është klasa ime kujdestare e 9B dhe këta nxënës i kam që nga klasa e gjashtë. Me këta nxënës dhe prindërit e tyre kam kaluar pandeminë. Ne vendosëm një rregull gjatë pandemisë, që çdo ditëlindje nxënësi do të festohej online. Në një prej ditëve që ishim të izoluar, unë kisha ditëlindjen. Nuk e kisha mendjen fare, se edhe shumë të ngarkuar kemi qenë ato kohë sfiduese. Në orën 12 të natës të gjithë këta fëmijë, por edhe të klasave të tjera, më kanë marrë në telefon dhe më kanë uruar. Unë u emocioniva shumë, dhe them se ajo ka qenë dita më e bukur për mua në arsim. Ndonjëherë edhe lodhemi apo mërzitemi, por të gjitha zerohen dhe harrohen kur merr kaq shumë dashuri, vëmendje, përkushtim”.

Në çdo çast unë iu them nxënësve që i kam njësoj me fëmijët e mi, nuk i ndaj dot, dhe këtë nuk e them për klishe, apo se po jap këtë intervistë. E kam zgjedhur me zemër dhe nuk jam bërë pishman në asnjë çast të jetës sime për profesionin që kam dhe ushtroj. Unë jam një mësuese, bëj punën time me dashuri”- shton mësuesja Çela.

“Për mua zyshë Silva është më e mira, zysha që çdokush do të donte ta kishte. Çdo ditë na këshillon që të hapemi tek ajo për çdo problem apo shqetësim. Është jo vetëm mësuese, por edhe psikologe shumë e mirë”.

“Këto fjalë që kam shkruar në kartolinë janë shumë pak për mësuese Silvën. Na ka ndihmuar në vështirësi të mëdha, sidomos gjatë pandemisë. Edhe kur mësonim online na jepte dashurinë, që na jep në jetën reale”.

“Kur të mbarojmë klasën e nëntë do të na marrë shumë malli, për kujtimet, ekskursionet, zyshat tona dhe emocionet e miqësinë që i dhamë njëri-tjetrit”– shprehen nxënësit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat