Frrok Çupi kallëzon në SPAK gjyqtarin e njohur

Shqipëria

Frrok Çupi kallëzon në SPAK gjyqtarin e njohur

Më: 6 tetor 2022 Në ora: 15:34
Frrok Çupi

Gazetari Frrok Çupi ka dorëzuar në SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), kallëzimin penal ndaj Besnik Hoxha, gjyqtar i Rrethit Gjyqësor, Tiranë.

Mësohet se objekt i kallëzimit penal ndaj gjyqtarit Besnik Hoxha është fillimi i ndjekjes penale për veprat penale “Korrupsion pasive i Gjyqtarëve, Prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të Drejtësisë”, dhe “Shpëredorim i detyrës’, të parashikuara në Kodin Penal, nenet 248 dhe 319.

Gjyqtari Besnik Hoxha, në datë 01.03.2022 ka shqyrtuar kërkesën që i përket akuzuesit Frrok Çupi ndaj Robert Rakipllari.

Objekti i akuzës së zotit Çupi ishte që z. Rkipllari të deklarohej ‘fajtor për shpifje të kryer botërisht’ pasi në një studio televizive, Rakipllari e kishte akuzuar si ‘spiun i Sigurimit të Shtetit’.

Gjykatësi Besnik Hoxha ka vendosur deklarimin ‘e pafajshëm të të akuzuarit Robert Rakipllari për veprën penale të shpifjes’.

Frrok Çupi, i cili bëri padinë penale në kushtet kur ndjehej i fyer dhe i shpifur botërisht, ndërsa nuk ka pasur asnjë lidhje dhe nuk ka asnjë provë se ai ka qenë ‘bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit’, ka kundërshtuar në instancat ligjore vendimin e dhënë nga gjyqtari Besnik Hoxha.

Njëkohësisht, Frrok Çupi ka konstatuar se vendimi i gjykatësit është korruptiv, i padrejtë, qëllimisht kundër tij dhe i pabazuar në asnjë provë e fakt.

Në kallëzimin penal të dorëzuar në SPAK, zoti Frrok Çupi nënvizon se gjykatësi Besnik Hoxha, duke shpallur të pafajshëm personin e akuzuar për shpifje të jryer botërisht, këtë e ka bërë qëllimisht për të hedhur baltë mbi dinjitetin e akuzuesit Frrok Çupi. Sipas këtij vendimi, përderisa personi i akuzuar se ka shpidur duke thënë ‘spiun i Sigurimit të shtetit’, automatikisht del që akuzuesi Frrok Çupi të jetë ‘Spiun i Sigurimit të Shtetit’. Nga akuzues, zoti Çupi, kthehet në të akuzuar, tashmë jo vetëm nga i akuzuari, por edhe nga gjyqtari Besnik Hoxha.

Në akt- padinë e tij, zoti Çupi thekson se ‘ka dyshime se gjykatësi Hoxha ka bashkëpunuar me të paditurin Rakipllari për të fshehur fajësinë e tij’. Ai e akuzon gjyqtarin Hoxha si të dyshuar se ka marrë vendim korruptiv.

Gjyqtari Besnik Hoxha, thekson zoti Çupi ka marrë një vendim hileqar, duke e ditur se nuk ka asnjë provë se Frrok Çupi ka qenë bashkëpunërtor i Sigurimit të Shtetit. ‘Gabimi më i madh i njeriut është kur mban anën e të padrejtit kundër të drejtit. Por kur kjo ndodh në dhënien e drejtësisë, si në rastin tonë, ky është krim’, theksohet në akt- padi

Gjyqtari Besnik Hoxha, sipas padisë së dorëzuar në SPAK, ka marë vendime selektive me qëllim dashakeq; ai ka selektuar dokumente false e të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese dhe ka hedhur poshtë dokumentet që vërtetojnë fajësinë e të paditurit. Njëkohësisht këto vërtetojnë se paditësi nuk ka asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit. Gjykatësi, duke përdorur autoritetin e gjykatës, ka cenuar rëndë barazinë time si shtetas i barabartë para ligjit dhe para gjykatës’.

Në padinë e tij, zoti Frrok Çupi thekson se:

“Gjykatësi Besnik Hoxha, me vendimin e tij në shkallën e parë, ka rrëzuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese të datës 20 qershor 1997. Qëllimi i tij është që të godasë të drejtën e paditësit, por në fakt ka kryer edhe krimin e një grushti konstitucional. Krimi i puçit konstitucional i kryer nga gjykatësi Besnik Hoxha ka efekte të rënda mbi mua dhe të drejtën time, por është edhe një precedent me rrezikshmëri për vetë të Drejtën në Republikën tonë’.

Kallëzimi Penal ndaj gjyqtarit Besnik Hoxha është dorëzuar në SPAK në datën 30 shtator 2022.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat