Arrestohet 62 vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht

Shqipëria

Arrestohet 62 vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 10:42
Foto ilustrim

Një 62 vjeçar, i kërkuar ndërkombëtarisht u arrestua në Durrës, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

Policia informoi se 62 vjeçari ka qenë i dënuar në Itali, me mbi 17 vjet burgim, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme, për kapjen e personave të kërkuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, si dhe mbështetur nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me Interpol Tirana, finalizuan operacionin policor të koduar “Koordinatat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit: - Mustafa Shullani (me identitete të tjera: Hasan Shullani, Ferdinand Behari dhe Faje Shullani), 62 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës.”, informoi Policia.

Gjykata e Apelit e Bolonjas, Itali e ka dënuar 62-vjeçarin me 17 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", të parashikuara nga ligji penal italian. Me qëllim vuajtjen e periudhës prej 11 vjet e 4 muaj burgim, të mbetur nga dënimi total, kjo gjykatë apeli, sipas Policisë, ka lëshuar për këtë shtetas një urdhër-arrest ndërkombëtar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, vijon puna për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat