“Skandal”, mediat gjermane jehonë grushtimit të Berishës

Shqipëria

“Skandal”, mediat gjermane jehonë grushtimit të Berishës

Më: 7 dhjetor 2022 Në ora: 13:29
Sali Berisha

Mediat gjermane kanë raportuar gjithashtu në lidhje me sulmin që iu bë kryedemokratit Sali Berisha në protestën e mbajtur dje. Rrjeti televiziv N-TV raporton se Berisha nuk është ndalur pavarësisht sulmit, por ka vijuar të ecë me turmën dhe ka mbajtur fjalën e tij para protestuesve.

“Një person iu afrua dhe e goditi me grusht në fytyrë 78-vjeçarin. Por kjo nuk e pengoi politikanin të mbajë një fjalim më pas- me lëndime të dukshme,” raporton N-TV.

Kurse BILD i ka dedikuar një artikull të gjatë gjithë ngjarjes që përfshiu Tiranën një ditë më parë. Gazetari Peter Tiede shkruan se ajo që ndodhi në protestë ishte një tjetër skandal prej shumë të tjerave që përfshijnë vendin tonë.

Artikulli i plotë:

Shqipëria është një nga vendet me problemet më të mëdha në Europë. Tani regjistrohet edhe një tjetër skandal i rëndë! Vendi ballkanik konsiderohet një shtet mafioz dhe narko-shtet, dhe dëshiron të anëtarësohet në BE. Sipas koalicionit qeverisës në Gjermani, kjo gjë duhet lejuar. Samiti i djeshëm i Ballkanit Perëndimor në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, trajtoi anëtarësimin në BE të shteteve si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. I pranishëm gjithashtu ishte edhe kancelari Olaf Scholz, 64-vjeçari i Socialdemokratëve. Kreu i opozitës shqiptare, Sali Berisha, 78-vjeçari i Partisë Demokratike, drejtoi një demonstratë në vendin e takimit. Papritur dhe në mënyrë të befasishme, presidenti i parë i zgjedhur lirisht në Shqipëri, u sulmua nga një bandit dhe u godit në fytyrë. Menjëherë truprojat reaguan ndaj agresorit duke e goditur. Berisha pësoi një mavijosje në fytyrë dhe ishte dukshëm i befasuar nga sulmi.

Demonstrata, tha Berisha për BILD vonë në mbrëmje, ishte e drejtuar kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe bëri thirrje për një perspektivë të vërtetë dhe të ndershme evropiane për Shqipërinë. Për BILD, Berisha tha: “Nuk ishte vetëm një sulm ndaj meje, por ndaj gjithë opozitës në Shqipëri. Vështirë se mund të jetë rastësi që të dërgohet një bandit kundër meje, ndërsa kancelari gjerman po takohej me kreun e qeverisë sonë mafioze në Tiranë. Është koha që BE të kuptojë sa i rrezikshëm është Edi Rama”. Berisha më herët pretendoi se agresori ishte një informator i njohur i policisë kriminale. Për vite me radhë, Berisha, i cili e udhëhoqi vendin e tij nga komunizmi shqiptar i epokës së gurit në vitin 1990 dhe u bë presidenti i parë jokomunist i vendit në vitin 1992, ka pasur përplasje me socialistin Rama. Në Shqipëri ka vazhdimisht protesta të dhunshme.

Politikanët janë armiq prej vitesh

Berisha dhe Rama vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për korrupsion. Berisha e konsideron Ramën përgjegjës, ndër të tjera, për faktin se Shqipëria tashmë konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të trafikut të drogës në Europë. Përveç kësaj, Berisha akuzon Ramën se socialistët blejnë vota në zgjedhje me ndihmën e mafies. Rama, i cili ka kontakte të ngushta edhe me deputetë të rinj të CDU-së në Gjermani, e mohon këtë. Rama e zëvendësoi Berishën si kryeministër në vitin 2013, pasi ai mbante postin e kryeministrit që nga viti 2005. Deri në vitin 2013, ai kishte qenë në krye të Partisë Demokratike konservatore. Pas një disfate elektorale nga socialistët e Ramës, Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë. Në maj të këtij viti ai u rikthye në drejtimin e partisë, pasi rrëzoi pasaardhësin e tij dhe nxënësin politike, Lulzim Basha. Basha konsiderohej nga Berisha dhe të tjerë demokratë me ndikim se ishte shumë pro-qeveritar.

Berisha vazhdon të akuzojë Ramën se ai ka ndikuar që ai të jetë në listën e zezë të SHBA. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë- OSBE, vërteton vazhdimisht se Shqipëria ka probleme serioze në zgjedhje, në luftën kundër korrupsionit dhe demokratizimin. Ekspertët kryesorë të Ballkanit, si shefi i politikës së jashtme për një kohë të gjatë në Parlamentin Europian, Elmar Brok i CDU, kanë paralajmëruar prej vitesh kundër anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.

Çfarë ndodhi dje?

Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat