Ngjela nxjerr prapaskenat e bujshme nga protesta e 6 dhjetorit: Ja kush e dha urdhrin që Berisha të goditej

Shqipëria

Ngjela nxjerr prapaskenat e bujshme nga protesta e 6 dhjetorit: Ja kush e dha urdhrin që Berisha të goditej

Më: 20 dhjetor 2022 Në ora: 14:29
Spartak Ngjela

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar situatën politike në vend dhe jo vetëm, duke e ndalur theksin tek zhvillimet brenda opozitës dhe SPAK, e cila tashmë ka kreun e ri të saj, prokurorin special, Altin Dumani. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat Ngjela paralajmëron arrestime “VIP”, ndërsa tregon personazhin “kyç” që do të terrorizojë politikën shqiptare. Sipas  tij, pushtetarët e lartë janë alarmuar pasi priten goditje në nivele të larta. Ndërkohë juristi Ngjela komentoi edhe protestën e 6 dhjetorit të opozitës, teksa theksoi se atentatin me grusht nuk e orkestroi Sali Berisha, pasi sipas tij, urdhrin që ai të goditej e dha Moska dhe Beogradi për të destabilizuar Shqipërinë.

-Avokat Ngjela, “Foltorja” dhe Partia e Lirisë zhvilluan një protestë më 6 dhjetor, e cila ndonëse ishte paralajmëruar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta se do ishte e madhe, duket se përfundoi në një tubim me 500 njerëz rreth vetes. Si ju duk ajo protestë?

Ishte një protestë kundër Bashkimit Evropian, por Saliu nuk dinte ta fshihte. Ishte një protestë për të prishur atë takim që u zhvillua, por dështoi se atij i erdhën rreth 400 veta. Me ata do të bënte kryengritje ai, sepse tha që do të bënte kryengritje. Problemi qëndronte se ishte kundër BE, dhe dihet që Saliu tani është i grupuar si forcë anti-perëndimore në Shqipëri dhe këtë i thanë edhe amerikanët kur e morën nga çadra dhe e përplasën  në Parlament. Ai tha se do bënte kryengritje, por kjo është ç’thurje mendore.

-Por atë ditë ndodhi dhe një incident, pasi Sali Berisha u godit me grusht në protestën e tij, personi që e qëlloi u masakrua nga truprojat e tij, por të dyja palët e falën njëri-tjetrin. Çfarë mendoni se ka ndodhur në të vërtet? Çfarë fshihet pas gjithë kësaj ngjarjeje...

Nuk më duket se ishte e orkestruar nga Sali Berisha, ka mundësi që të jetë e segmentit Beograd- Moskë që të shkatërronin Samitin e BE me destabilitet dhe dhunë.

-Të premten Altin Dumani u zgjodh mes debatesh, kreu i ri i SPAK. Kjo pasi SHBA dhe qeveria u përplasen në distancë për pasuesin e Arben Krajës, sa detyroj ambasadoren Yuri Kim të ishte prezent në sallë gjatë kohës kur KLP po intervistonte 3 kandidatët. Si ju duket kreu i ri i SPAK dhe a besoni se do ta çojë përpara luftën kundër krimit dhe korrupsionit?

Ai ka filluar punë sot, shenjat janë që po, sepse fakti që pati alarm në korrupsionin e lartë dhe i bënë të gjitha përpjekjet që të mos zgjidhej ai tregon që ky vjen për të goditur korrupsionin e niveleve të larta.

-A mendoni se shumë dosje të bujshme si “21 Janari”, “Gërdeci”, afera e inceneratorëve dhe privatizimi i ish-kompleksit Partizani, ku i akuzuar kryesor është ish-kryeministri Sali Berisha duhet të zbardhen?

Nëse kanë shkuar në SPAK, ky i fundit ka përgjegjësi që të jap përgjigje. Në çdo prokurori  që bëhen denoncime jepet përgjigje ose e çon në gjyq ose e pushon, ka procedurat e veta për kallëzim. Nëse këto janë kallëzime ose denoncime SPAK është i detyruar që të jap përgjigje,  është i detyruar që të bëjë hetim.

- Jemi në fund të vitit 2022 dhe dhjetori duket se ka qenë një muaj shumë intensiv në rrafshin politik dhe jo vetëm. Cilat janë ngjarjet e dhjetorit 2022 që ju kanë mbetur në mendje?

Unë i kam cekur më sipër dhe po nënvizoja disa prej tyre: Sali Berisha organizoi në datën 6 dhjetor një protestë politike të opozitës kundër Samitit të Bashkimit Evropian në Tiranë. Dhe ky ishte një turp historik antishqiptar. Moska dhe Beogradi e sulmuan ashpër Samitin në datën 6 dhe 7 dhjetor. Se e kuptuan që Shqipëria dhe Kosova po fillonin një proces shumë të fuqishëm historik gjithëshqiptar drejt Bashkimit Evropian. Dhe u kuptua se këta shpresën e patën te "revolta kryengritëse" që kish paralajmëruar Sali Berisha. Serbia ngriti tensionin në veriun e Kosovës deri në një kërcënim pushtues në datën 6 dhe 7 dhjetor e në vijim. Se ka dashur të zbehë Samitin e Bashkimit Evropian në Tiranë, por me shpresë te Moska dhe voglat antishqiptare në Tiranë e në Prishtinë. Sidomos, me shpresë te kryengritja Berisha e asaj dite. Por, në Tiranë gjithçka u zbeh e shuar, se Saliut në Bulevardin e Madh të Tiranës i erdhën vetëm rreth 400 persona, dhe, bashkë me ta, ai mori edhe një grusht fytyrës nga një qytetar i revoltuar. Rama kërkoi në datën 10 dhjetor të hapte procedurat për zëvendësimin e Ambasadores së Amerikës në Tiranë, zonjës Yuri Kim. Sepse, siç duket, kërkoi të hyjë edhe ky në rrjedhën moskovite të sabotimit të procesit të ri amerikano-evropian për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kurse Serbia, në 13 dhjetor kërkoi të dërgonte forcat ushtarake serbe në Veri të Kosovës; sepse donte të provokonte gatishmërinë e Uashingtonit në mbrojtje të Veriut të Kosovës. Por menjëherë... Në datën 13 dhjetor, zv/ ndihmës Sekretar i Shtetit, Gabriel Escobar, iu përgjigj Serbisë se: "Veriu i Kosovës ka mbrojtje të sigurt të Amerikës, dhe nuk pranohet asnjë forcë serbe të hyjë në Veriun e Kosovës". Po në datën 13 dhjetor, Ambasadorja Yuri Kim iu përgjigj Ramës: afati im nuk mbaron. Unë do të jem ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, edhe në vijim të viteve të  ardhshme. Në datën 13 dhjetor ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, filloi ushtrimin e politikës amerikane në zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë së Posaçme, duke preferuar Altin Dumanin si kryeprokuror. Në datën 16 dhjetor Dumani u zgjidh kryetari i Prokurorisë së Posaçme; kur Berisha dhe Rama, Moska dhe Beogradi po prisnin të sigurt një nga prokurorët e tjerë që ishin në garë. Ja pra... Këto ishin ngjarjet politike që u formuan për të krijuar një sistem faktik antishqiptar gjatë muajit dhjetor, i cili është ende në vijim, por tani pa fare forcë dhe thuajse i dorëzuar. Por, edhe i trembur brenda Shqipërisë, sepse, pas asaj që ndodhi nga 6 dhjetori e deri në 13 dhjetor, me likuidimin e kësaj historie ruse në Tiranë,  gjithçka tani po ecën drejt  një rigjallërimi goditës kundër korrupsionit të lartë shtetëror dhe politik. Tani pritet të nisë riorganizimi i SPAK-ut, menjëherë pas zgjedhjes së kreut të ri të tij, Altin Dumani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat