Basha do të jetë aktiv në zgjedhje, Gjikondi: Tekë egoiste, e dëmton krahun e Alibeajt

Shqipëria

Basha do të jetë aktiv në zgjedhje, Gjikondi: Tekë egoiste, e dëmton krahun e Alibeajt

Më: 27 mars 2023 Në ora: 19:00
Juristja Brizida Gjikondi

Juristja Brizida Gjikondi ka qenë e ftuar në “Special Report” me gazetarin, Arlind Isa, ku ndër të tjera komentoi edhe deklaratën e ish-kreut të PD, Lulzim Basha, i cili u shpreh se do të jetë aktiv në fushatën për zgjedhjet lokale.

Gjikondi tha kjo është më shumë një tekë egoiste e tij pasi sipas saj nuk ka më çfarë të japë dhe mbi të gjitha me këtë veprim e dëmton më shumë krahun e Alibeajt.

“Kemi një skenë të qartë. Dihet që krahu i shëndetshëm i PD, asnjëherë nuk e ka dashur Ilir Metën, pavarësisht se idhulli i tyre është bashkuar me të. Kjo do t’i bëjë ata të stepen.

Dihet që Meta është një personazh i pangopur. Në anën tjetër kemi Bashën që është një krijesë jo e realizuar e Berishës, i cili për mendimin duhet të vazhdonte të qëndronte  në hije pasi nuk ka më çfarë të japë.

Ndaj kjo e sotmja është  një tekë egoiste dhe nuk besoj se Basha mund të tërheqë më njerëz.

Basha më shumë e dëmton pjesën e krahut të Alibeajt sesa e ndihmon,” u shpreh Gjikondi.

Në lidhje me një strategji të mundshme të Bashës për të rimarrë partinë, Gjikondi tha se nuk e beson pasi ai nuk mund të arrijë të unifikojë një forcë politike që ka përçarje brenda saj.

“Nuk besoj sepse ndjehet që edhe në PD e Alibeajt ka përçarja dhe nuk besoj se Basha është që i unifikon.

Ai përpiqet të jetë një pjacë, duket hedhur ndonjë shashkë”, tha ajo ndër të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat