Debat në Komisionin e Ligjeve/ Opozita: Ministria e Shëndetësisë nuk po e ndal dot fenomenin e tullumbaceve me azot

Shqipëria

Debat në Komisionin e Ligjeve/ Opozita: Ministria e Shëndetësisë nuk po e ndal dot fenomenin e tullumbaceve me azot

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 13:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Komisionin e Ligjeve sot është diskutuar kanabisi mjekësor që do të kalojë në listën e barnave për qëllime medicinale, ndërsa deputetët e opozitës kanë ngritur një shqetësim tjetër.

Deputetja Dhurata Çupi tha se Komisioni është mbledhur sot vetëm për të futur kanabisin mjekësor në tabelat e barnave mjekësor, duke lënë mënjanë çështjen e rëndësishme që po shqetëson familjet shqiptare, atë të përdorimit të tullumbaceve me azot nga të rinjtë.

Çupi tha se Ministria e Shëndetësisë nuk po e ndal dot fenomenin, ndërsa në përgjigje të saj, zv.ministrja Entela Ramosaçaj shpjegoi se Ministria mban përgjegjësi vetëm për atë që përdoret në spital dhe ajo që shitet nëpër kioska, nuk del nga spitali. Ajo tha se vendi ynë do duhet të përditësojë listën sipas konventave ndërkombëtare.

Çupi: Unë prita të dëgjoja atë që shqetëson opinionin publik. Të gjithë ata që kanë fëmijë e adoleshentë kishin një shqetësim që do donin ta dëgjonin sot për tullumbacet me azot që qarkullojnë në ambientet publike me efekte narkotike. Më vjen keq që nga Ministria e Shëndetësisë nuk gjeta asnjë fjalë për këtë shqetësim të madh të qytetarëve. Sot ju keni ardhur këtu që ligjin për legalizimin e kanabisit ta azhornonit kanabisin mjekësor në tabela, që ta dijë dhe opinioni publik atë për çfarë jemi mbledhur sot. Do bëhet propagandë që po bëjmë namin, kjo është e vërteta. Keni ardhur që kanabisin mjekësor ta përfshini në tabelën e lëndëve mjekësore. Ne po prisnim çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë për tullumbacet me azot, këto janë shqetësime që prekin sot familjet, nuk është shqetësim kjo që po diskutoni ju.

Zv.Ministrja: Substanca është peroksid azoti ka formulën kimike N20. Kjo substancë nuk futet në asnjë nga lista e konventës për barnat narkotike dhe si i tillë nuk i nënshtrohet ligjit 88/74 për kontrollin e lëndëve që përdoren për lëndët narkotike. N20 mund t’i nënshtrohet ligjit për barnat dhe është produkt i cili është bar mjekësor dhe përdoret në spitale si narkozë, e kombinuar me diçka tjetër. Ai përdoret në spitale dhe prokurohet vetëm nga spitalet. Përdoret si narkozë dhe kundër dhimbjeve. Nuk klasifikohet në listën e barnave narkotikë.

Çupi: Mënyra si e trajtuar qenka si paracetamol që e marrim në farmaci. Fakti që konsumohet kaq gjerësisht dhe nuk kontrollohet nga Ministria e Shëndetësisë. Si qarkullon kjo lëndë. Është si të marrësh paracetamol në farmaci.

Zv.Ministrja: Nuk është si paracetamol, është vetëm për përdorim spitalor, nuk mund të shitet në farmaci. Nuk rrjedh nga spitalet. Kioskat nuk e marrin nga spitalet. Protoksidi nuk ka vetëm qëllime mjekësore, ai përdoret dhe në industri ushqimore, makina etj. Jo vetëm bar mjekësor por edhe për qëllime të tjera. Ministria e Shëndetësisë e ka të lidhur vetëm për përdorim spitalor, nuk mund ti nënshtrohet ligjet të barnave narkotike se miratohet nga një bord ndërkombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat