“Dënojmë dhunën ndaj protestuesve më 20 shkurt”- Meta: Kuvendi është zhytur në kaos dhe paligjshmëri!

Shqipëria

“Dënojmë dhunën ndaj protestuesve më 20 shkurt”- Meta: Kuvendi është zhytur në kaos dhe paligjshmëri!

Më: 24 shkurt 2024 Në ora: 15:07
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një konferencë për mediat, ku ndër tjera dënoi dhunën e kryer ndaj protestuesve nga policët me uniformë dhe civilë më 20 shkurt.

“Agresioni dhe dhunimi i protestuesve nga banditët e Edi Ramës është një vepër e rëndë penale, por drejtësia në vend të ndëshkojë autorët e dhunës pritet të dënojë protestuesit e arrestuar. I bëjmë thirrje drejtësisë të nisë hetimet penale për keqpërdorimin e strukturave të shtetit,” tha ndër të tjera Meta.

Meta po ashtu u shpreh se Kuvendi është zhytur në një kaos dhe paligjshmëri totale, ku projektligjet votohen pa asnjë debat.

“Kuvendi i Shqipërisë është zhytyr në kaos dhe paligjshmëri totale dhe është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm të Qeverisë, që miraton vetëm ligje për llogari të oligarkëve dhe në dëm të interesit public, qytetar dhe kombëtar” shtoi kreu i PL.

Deklarata e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, zotit Ilir Meta në konferencën për mediat 

Dëshiroj ta nis këtë komunikim me vendimin e fundit të qeverisë e cila ka rialokuar 102 milionë euro për investime publike dhe për uljen e borxhit.

Shqetësimi më i madh i Partisë së Lirisë është që 76 milion euro që janë grumbulluar nga skema e pensioneve do të përdoren për të larë borxhet e Qeverisë e cila dihet që vjedh me inceneratorë fantazmë që nuk ekzistojnë, me rrugët e florinjta që shemben si ajo që ka bllokuar dhe qarkullimin midis Korçës dhe Ersekës, me PPP-të e pafundme shumica e të cilave janë në hetim dhe me tendera sekret.

Në vend që këto para të cilat janë grumbulluar nga skema e pensioneve të përdoreshin për rritjen e pensioneve dhe për mbështetur pensionistët për mbulimin e shpenzimeve të tyre më jetike për ushqimet dhe ilaçet ato do të shkojnë përsëri tek PPP-të.

Vetëm një Qeveri e papërgjegjshme ndaj kategorive më të vuajtura dhe vulnerabël të shoqërisë, mund të përdorë fondet e pensioneve për të shlyer borxhet e PPP-ve.

Pensionistët dhe grupet në nevojë po varfërohen gjithmonë edhe më shumë si për shkak të mos rritjes të duhur të pensioneve dhe përfitimeve sociale, edhe për shkak të rritjes së pakufijshme të çmimeve dhe kujdesit të munguar shëndetësor.

“Rilindja” e cila që vitin 2013 premtoi pensione më të larta, në 11 vite bëri pikërisht të kundërtën për këtë kategori që aq shumë ka kontribuuar për ndërtimin e vendit.

Në total indeksimi dhe rritja reale e pensioneve do të duhej të ishte në 75.5% në fund të vitit 2023, krahasuar me fundvitin e 2013.

Kjo do të thotë që pensioni mesatar i pleqërisë në fund të vitit 2023:

Në zonat urbane do të duhej të ishte në nivelin 26,332 lekë në muaj, kur ndërkohë është 18,842 lekë.

Ndërsa në zonat rurale do të duhej të ishte në nivelin 14,477 lekë në muaj, kur ndërkohë është 11,239 lekë në muaj.

Pra, sot Qeveria e rilindjes i ka borxh secilit pensionist në qytet 7,489 lekë çdo muaj dhe secilit pensionist në fshat 3,238 lekë çdo muaj pikërisht për shkak të mosindeksimit mbi bazën e rritjes së çmimeve.

Ndaj dhe Partia e Lirisë do të propozojë një amendament në ligjin e pensioneve për një ndryshim të llogaritjes së indeksimit të masës së pensioneve duke konsideruar rritjen e çmimeve të artikujve ushqimorë.

Si dhe do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të gjykojë mbi shkeljen e ligjit të pensioneve nga Qeveria për mos indeksimin e masës së pensioneve në përputhje me ligjin përkatës.

Gjithashtu Partia e Lirisë dhe grupi i saj i ekspertëve të shëndetit ka propozuar:

Mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore.

Mbulimin e të gjitha shërbimeve mjekësore dhe të infermierisë në banesë për të gjithë pensionistët me probleme shëndetësore.

Një çështje shumë e rëndësisshme e cila padyshim që përbën një ngjarje skandaloze për sistemin e drejtësisë  dhe për fat të keq dhe për Gjykatën e Lartë. Vendimi anti-ligjor, anti-kushtetues i së Gjykata së Lartë, në kundërshtim flagrant me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe me Kartën Universale të të Drejtave të Njeriut, që çertifikoi paligjshmërinë e akteve të SPAK ndaj gazetarit kurajoz Elton Qyno, i cili për orë të tëra u mor peng nga hetuesit e Prokurorisë Speciale dhe ju nënshtrua, së bashku me familjen e tij, një presioni dhe shantazhi të paprecedent.

Kontrolli i banesës, i zyrës, kontrolli fizik, u cilësuan të ligjshëm nga Gjykata e Lartë, a thua se gazetari Qyno ishte një kriminel i rrezikshëm dhe jo një profesionist i gazetarisë që për mision të tij ka kërkimin e lajmit dhe informimin e opinionit publik.

Gjykata e Lartë, përmes këtij vendimi të papranueshëm jo vetëm noterizoi dhunimin e fjalës së lirë, por dhe dëmtoi seriozisht cënimin dhe mbrojtjen e burimeve të gazetarëve, që janë të shenjta për ta, por edhe të mbrojtura nga ligji dhe konventat ndërkombëtare. Liria e shprehjes, liria e medias dhe e drejta e informimit përcse janë të drejta themelore kushtetuese janë të lidhura ngushtë me parimin e ndërtimit dhe funksionimit të një shteti demokratik dhe europian.

Ndaj Partia e Lirisë është në mbështetje të plotë dhe në solidaritet me të gjithë gazetarët e pavarur dhe kurajozë, si dhe me familjet e tyre, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore pasi ato duhet të mbrohen në mënyrë të vendosur nga gjithë shoqëria sepse janë ekspozuar më shumë se kurrë para dhunës dhe terrorit shtetëror.

Metodat represive të pengmarrjes, presionit, shantazhit, kërcënimit dhe sekuestrimit të sendeve personale, dhunimit të jetës private dhe familjare të gazetarëve profesionistë, janë praktika staliniste që na kthejnë pas në kohët më të errëta dhe që ringjallin ligjin famëkeq të “Agjitacionit dhe Propagandës”.

Për Shqipërinë, si vend anëtar të Këshillit të Europës dhe nënshkruese e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që njeh dhe pranon juridiksionin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut, ky vendim i djeshëm i Gjykatës së Lartë ndaj gazetarit Elton Qyno, na kthen dekada pas dhe na vendos një njollë të zezë turpi.

Shqipëria në vitet e fundit ka një përkeqësim serioz të lirisë së fjalës, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjoze ndërkombëtare të gazetarëve, si dhe të institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë respektimin e lirisë së medias.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ndaj gazetarit Elton Qyno erdhi pak ditë pas një tjetër rasti flagrant dhe të përsëritur të cënimit skandaloz të lirive dhe të të drejtave të njeriut, siç ishte dhuna e pashembullt dhe terrori i banditëve me dhe pa uniformë, me kapuç dhe pa kapuç të Edi Ramës dhe Taulant Ballës ndaj protestuesve paqësorë në protestën madhështore mbarëpopullore të 20 shkurtit.

Partia e Lirisë edhe një herë dënon me ashpërsinë më të madhe dhunën barbare të horrave me kapuç ndaj qytetarëve paqësorë pasi ata nuk kanë asnjë lidhje me shtetin e së drejtës por janë vetëm kopje e shëmtuar të regjimit të tonto macouteve.

Agresioni dhe keqtrajtimi i protestuesve prej policisë politike të Edi Ramës është një vepër e rëndë penale.

Por në vend që drejtësia të ndëshkojë urdhëruesit dhe zbatuesit e dhunës ndaj qytetarëve të lirë, po gjykon dhe pritet të dënojë pikërisht “viktimat” e kësaj dhune, faji i vetëm i të cilëve ishte që dolën në protestë kundër narkoshtetit që kërkon t’i dëbojë edhe ata nga vendi siç ka bërë me qindra mijëra të rinj të tjerë.

I bëj thirrje drejtësisë, që sa më parë të nisë hetimet penale mbi keqpërdorimin e strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe të autorëve civilë, të maskuar dhe pa shenja dalluese të dhunimit dhe keqtrajtimit të qytetarëve shqiptarë përgjatë protestës së datës 20 shkurt.

Partia e Lirisë kërkon nga Avokati i Popullit dhe të gjitha organizatave vendase dhe ndërkombëtare që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut dhe gazetarëve të reagojnë me forcë ndaj këtyre rasteve skandaloze.

Shqipëria nuk mund të shndërrohet në Bjellorusinë e rajonit, ku liria e fjalës dhe e drejta demokratike e protestës të asgjesohen dhe ku burgjet të mbushen me gazetarë dhe kritikë të regjimit.

Partia e Lirisë gjithmonë ka ndërmarrë një sërë nismash në mbrojtje të protestuesve paqësorë, duke nisur nga kërkesat drejtuar Prokurorisë dhe deri në interpelancat në Kuvend me ministrin e Brendshëm e po kështu në raportet e saj me Gjykatën Kushtetuese.

Ndaj do të bëjmë gjithçka për të garantuar dhe mbrojtur liritë dhe të drejtat e protestuesve paqësorë tani dhe në të ardhmen.

Në një vend ku institucionet kanë rënë prej kapjes së shtetit korrupsionit dhe inkriminimit, e vetmja mënyrë për të rivendosur demokracinë është ngritja e popullit, i cili tashmë është ngritur dhe ka marrë në dorë fatet e veta.

Mesazhi i fortë dhe i qartë i protestës madhështore të thirrur nga opozita e bashkuar ishte se populli në këtë vend është shumicë e padiskutueshme dhe ora e llogaridhënies për një grusht pengmarrësish po afron.

Ndërkohë, jo vetëm Drejtësia, por edhe Kuvendi vazhdon te mbahet peng nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Parlament është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime staliniste.

Kuvendi i Shqipërisë është zhytyr në kaos dhe paligjshmëri totale dhe është kthyer prej kohësh në një noter të neveritshëm të Qeverisë, që miraton vetëm ligje për llogari të oligarkëve dhe në dëm të interesit public, qytetar dhe kombëtar.

I tillë ishte edhe miratimi pa debat dhe transparencë i ligjit të shumëkontestuar edhe nga Bashkimi Europian, nga opozita e vërtetë, nga shoqëria civile, nga ekspertët dhe mbrojtësit e mjedisit për masakrimin e zonave të mbrojtura, që nga së shpejti rrezikojnë të kthehen në sheshe ndërtimi për resorte, komplekse pallatesh apo biznese që kryesisht kanë si qëllim pastrimin e parave.

Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti dhe pasojat shumë të rënda do të jenë të pakthyeshme dhe me kosto të parikuperueshme edhe për vetë turizmin.

Tërheqja nga rendi i ditës gjithashtu në seancën e fundit plenare të projektligjit për Amnistinë Penale ishte një tjetër dëshmi tronditëse se si institucioni i Kuvendit është marrë peng nga Edi Rama, ku ligjet futen dhe hiqen në rendin e ditës, sipas axhendave politike të Kryeministrit dhe pazareve të ulta politike që bëhen apo zhbëhen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat