S&P rrit vlerësimin për Shqipërinë, për herë të parë e ngjit në 'BB-'

Shqipëria

S&P rrit vlerësimin për Shqipërinë, për herë të parë e ngjit në 'BB-'

Më: 23 mars 2024 Në ora: 13:25
Foto ilustrim

Agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poors”, (S&P) një nga tre më të mëdhatë në botë, ka rritur me një kategori, vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë, duke bërë që për herë të parë të kalojë në 'BB-', nga 'B+'.

“Vlerësimi forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit”, deklaroi sot ministri i Financave, Ervin Mete, duke shpjegar se “tani vendi do të perceptohet më pozitivisht nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri dhe kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, si edhe kushte më të lehtësuara për huamarrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset dhe individët”.

Agjencia ka vlerësuar se Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për t’i bërë ballë goditjeve, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë, duke vënë në dukje rritjen e qëndrueshme të ekonomisë në tre vitet e fundit dhe përmirësimin e parametrave të financave publike.

Sipas Agjencisë, qëndrueshmëria ekonomike e vendit i atribuohet pjesërisht rrijes së turizmit e cila “ndihmoi Shqipërinë të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB-së midis viteve 2019 dhe 2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm”.

S&P ka vlerësuar rënien e borxhit publik, nga 74.5% të PBB-së në vitin 2020 në 59.2 % në vitin 2023, sipas autoriteteve shqiptare, duke parashikuar se “autoritetet do të synojnë të ruajnë këtë qasje të matur ndaj financave publike, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar që borxhi publik i Shqipërisë të mbetet i qëndrueshëm në një mesatare prej rreth 55% të PBB-së gjatë viteve 2024–2027”.

Ministri shqiptar i Financave në deklaratën e tij tha se "ky vlerësim i S&P vjen gjashtë muaj pasi agjencia ndërkombëtare rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme në pozitive", duke shtuar se “treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, papunësia është në nivelet më të ulëta historike, inflacioni është rikthyer në objektiv përpara pritshmërive, pozicioni i jashtëm është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike”./ VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat