Zgjedhjet 2025, PS synon emra të rinj për parlamentin e ardhshëm

Shqipëria

Zgjedhjet 2025, PS synon emra të rinj për parlamentin e ardhshëm

Më: 8 shtator 2024 Në ora: 21:33
Kryetari socialist dhe kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS

Në Shqipëri, Partia socialiste synon që në parlamentin e ardhshëm të përfaqësohet me emra thuajse tërësisht të rinj duke lënë jashtë pjesën dërrmuese të deputetëve aktualë. Në mbledhjen e asamblesë të thirrur të dielën në Durrës, kryetari socialist, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se “më e mira është që deputetët me më shumë se një mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit politikë të qarqeve që hyjnë në këtë kategori, ku bëj pjesë edhe unë personalisht, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët, ndërsa në listën e mbyllur do të jenë vetëm pak prej tyre, të cilët do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese”.

Sipas Kodit të ri zgjedhor, një e treta e listës së kandidatëve do të jetë e mbyllur. Praktikisht, ata që do të jenë pjesë e kësaj liste do të mund të hyjnë në parlament automatikisht, pavarësisht nga numri i votave që marrin. Vetëm pjesa tjetër e kandidatëve do të duhet të luftojë për të marrë sa më shumë mbështetje elektorale. Në listën e mbyllur në rang vendi do të jenë 47 emra, të cilët de facto, do të përbëjnë dhe pjesën kryesore të deputetëve me të cilët do të përfaqësohet një forcë politike, ose dy të tretat e asaj që do të fitojë 70+1 deputetë.

Një lëvizje të tillë, për emrat e rinj, zoti Rama e përforcoi me nevojë, siç tha ai, për ndryshimin e brezave në partinë socialiste. “Sot ka ardhur edhe koha e natyrshme që një brez më i ri sesa ky që e ka përfaqësuar PS e këtyre 10 viteve, të ketë më shumë vend në përfaqësimin e PS së 4 viteve të ardhshme. Ato vite drejt majës së Shqipërisë 2030 anëtare në BE, duhet të jenë edhe vitet e ndryshimit të mençur të brezave për të garantuar udhëheqjen e PS të dekadës tjetër, kur Shqipëria do të përballet me të tjera sfida si shtet anëtar i BE-së”.

Hapat e parë për ndryshimet e thella, u hodhën që sot me emra të rinj të përfshirë në kryesinë e partisë, si dy ministrat Igli Hasani e Albana Koçiu, por dhe në sekretariatet e saj. Jashtë forumit të lartë të partisë u lanë figura si Ditmir Bushati, Mimi Kodheli, apo dhe ish ministrja e Jashtme Olta Xhaçka. Emra pa një karrierë politike në parti, u caktuan si drejtuesë politikë në 12 qarqet e vendit, si ministri Blendi Gonxhe, apo kryetarët e bashkive në Shkodër, Durrës e Berat. Ndërsa në Tiranë, Erion Veliaj, deri më tani drejtues i qarkut më të madh të vendit, do të duhet ta ndajë këtë pushtet me Elisa Spiropalin dhe Ogerta Manastirliun.

Socialistët synojnë të marrin mandatin e katërt, pasi drejtojnë vendin që prej vitit 2013 si dhe kanë kontrollin të pjesës dërrmuese të bashkve të vendit. Përballë tyre, opozita vjen pas disa vitesh krize të thellë e përplasjesh të brendshme. Ndërsa zoti Berisha, mori në pranverë dhe zyrtarisht drejtimin e Partisë Demokratike, pasi Gjykata e njohu atë dhe grupimin e tij, afrimi i shumë deputetëve dhe strukturave që më parë ishin me zotin Basha, nuk i ka mbyllur tërësisht plagët e brendshme. Caktimi i drejtuesve politik, tregoi se zoti Berisha ishte kujdesur të ruante ekuilibrat ende të brishtë në gjirin e partisë së tij, ndërkohë që procesi i primareve për caktimin e kandidatëve për deputetë mund të ringjallë pakënaqësitë mes palëve.

Kur zgjedhjet pritet të mbahen brenda 8-9 muajve të ardhshëm, demokratët po këmbëngulin në tezën se me Edi Ramën në pushtet nuk garantohen zgjedhje të lira e të ndershme e se për këtë duhet një qeveri teknike. Në një takim të mbajtur këtë dielë pasdite me drejtuesit politik të qarqeve, zoti Berisha deklaroi se “kësaj here, detyrë e të gjitha detyrave, është inicimi sa më parë i një revolte të përgjithshme popullore, me qëllimin më kryesor për qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky mision kërkon që ne t’i dalim Zot dhe të garantojmë qytetarët shqiptarë se vota e tyre nuk do mund të ekzekturohet, nuk do mund të varroset pa hyrë në kuti, dhe se ajo nuk do të shndërrohet në krim, dhe krimi në vote”. Sipas zotit Berisha, protesta do të jetë “një përparësi absolute”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat