Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit në qytetin e Shkodrës, ka theksuar se “Shqipëria Madhështore” nuk mund të jetë pa prodhimet shqiptare ‘Made in Albani”. Në fjalën e tij, Berisha tha se krenaria jonë kombëtare do jetë prodhimi i Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Bushatit, prodhimi i mbarë Shqipërisë.
“Unë garantoj biznesmenët shkodranë dhe mbarë shqiptarë, investitorët shkodranë dhe mbarë shqiptarë se taksat më të ulëta në Europë do vendosen vitin e parë të qeverisjes sonë. Se energjinë do ta blini tre herë më lirë.
Se energjinë do ta blini me çmimin më të ulët në Europë.Jemi në vitin e diasporës, e meriton diaspora. Nuk e kemi një fjalë elektorale këtë, jo, e kemi një fjalë të vërtetë, e kemi një fjalë zemre dhe unë u garantoj se do bëjmë gjithçka që ata mijëra shkodranë që kanë ndërtuar suksesin e tyre në Itali, Greqi, Amerikë dhe kudo të rikthehen të ndërtojnë ëndrrën shkodrane, ëndrrën më të bukur të jetës së tyre.
Pesë vite, asnjë taksë. Lehtësira të tjera për rikthimin e tyre. Made in Albania është krenaria jonë.Shqipëria, Shkodra në çdo skaj prodhon dhe do prodhojë. Imagjinoni për një moment fuqinë bujqësore të Nënshkodrës, Bushatit, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Pukës, etj.
I garantoj fermerët se do kenë subvencione për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti.I garantoj se projektet e mëparshme të arrorëve dhe ullinjve do vazhdojnë të mbështeten me fuqinë më të madhe”, tha Berisha.
Berisha shtoi se PD do të bëjë gjithçka që t’ua kompensojë prodhuesve, eksportuesve dëmin që u krijon kursi i këmbimit.
“Do mbrojmë prodhimin vendas. Made in Albania do e ngrejë Shqipërinë, do e bëjë atë të vrapojë, do i bëjë të mëkëmbur qytetarët e saj”, shtoi Berisha.