​Arrijnë në Shëngjin 40 migrantët e transferuar nga Italia

Shqipëria

​Arrijnë në Shëngjin 40 migrantët e transferuar nga Italia

Më: 11 prill 2025 Në ora: 19:07
Anija “Libra”

Anija “Libra” me 40 emigrantë të transferuar nga Italia, ka mbërritur sot në portin e Shëngjinit.

Personat në bord do të zbresin dhe do të shoqërohen nga forcat e rendit drejt qendrës së Gjadrit, pak kilometra larg qytetit të Lezhës.

Emigrantët janë me kombësi tuniziane, egjiptiane, bangladeshase, pakistaneze, algjeriane, gjeorgjiane, nigeriane dhe moldave.

Emigrantët do të mbërrinin nga qendrat e Barit, Torinos, Trapanit, Gorizias, Milanos dhe Brindisit, raporton ATSH.

Kujtojmë, Shqipëria dhe Italia kanë ratifikuar marrëveshjen për emigrantët sipas së cilës shteti italian do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe.

Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit në dy qendra brenda shtetit.

Partitë opozitare në Shqipëri dhe Itali kanë kundërshtuar marrëveshjen. Në Shqipëri, opozita dërgoi marrëveshjen në Kushtetuese, por kjo e fundit e hodhi poshtë, duke i hapur rrugë ratifikimit të saj në Kuvend.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen duke e cilësuar si një nismë të rëndësishme për të menaxhuar çështjen e migrimit. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat