Këtë sezon veror pushuesit dhe turistët, por edhe qytetarët pritet të kenë më pak “dhimbje koke” sa i përket parkimeve të gabuara të mjeteve apo edhe zaptimit të hapsirave publike.
Së fundmi është arritur që policia bashkiake të integrojë me sistem online masat administrative.
Falë kësaj lehtësie për efektivët pritet që edhe situata e trafikut të jetë më e kontrolluar në qytet dhe zonat e ngarkuara me trafik pasi deri dje askush nuk gjobitej.
Sipas drejtorit të Agjencisë së Mbrojtjes së Territorit, Markel Hafesllarit krahas punës për parkimet e gabuara në rrugë fokus të vecantë do të ketë edhe zbatimi i pullës së rezidentit, ata të cilët nuk e kanë një të tillë sipas lagjes ku banojnë dhe parkojnë kudo do të gjobiten.
“Policia bashkiake ka marrë të gjitha masat për lirimin e hapsirave publike dhe parkimeve të gabuara këtë sezon turistik, para pak kohesh ne kemi nxjerrë në sistem online gjobat njësoj si policia e shtetit dhe për këtë do të jenë të angazhuara në terren dy patrulla policie për parkimet e gabuara që mund të vijnë nga fluksi i madh në këtë sezon.
Me drejtorinë e parkingjeve kemi bërë një punë të mirë dhe jemi të angazhuar edhe për pullat e rezidentit, që do të thotë se kush nuk ka pullë rezidenti do të marrë masë administrative.Do të jenë të gjithë në terren, patrullat me makinë, patrullat me bicikleta por do të ketë edhe efektivë policie në cdo zonë me fokus shëtitoren e qytetit, Tushemishtin, Lini si edhe lagjet e qytetit, së shpejti për sallën operative do të kemi në dispozicion edhe numrin e telefonit për cdo ankesë nga ana e qytetarëve”, tha Hafesllari.
Për sezonin turistik veror në Pogradec do të jenë të angazhuar 25 efektivë të Policisë Bashkiake e cila do të operojë në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit dhe atë rrugore..