Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi tha sot se në pjesëmarrjen e saj në takimin e Asamblesë së Përgjithshme dhe Komitetit Ekzekutiv të CDI-së është kërkuar që Europa të reagojë ndaj farsës elektorale të 11 majit.
Në një emision televziiv, Vokshi tha se ky takim është një mënyrë për të tejkaluar propagandën e Edi Ramës dhe të qeverisjes së tij, e cila paguhet nga paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Ky është një takim i Komitetit Ekzekutiv dhe i Asamblesë së Përgjithshme të CDI-së. CDI përbëhet nga shumë parti të spektrit të djathtë. Ka qenë ndër organizatat e para që ka reaguar për situatën e rënduar politike në Shqipëri. Ka bërë kërkesën për krijimin e një qeverie teknike, për të siguruar një garë të barabartë dhe një situatë e ambient ku qytetarët të jenë të lirë për të votuar. Në këtë kuadër, edhe ky takim është i rëndësishëm, për vetë momentin kur organizohet, jemi vetëm pak ditë larg zgjedhjeve parlamentare.
Një pjesë e lidershipit të CDI-së ka qenë vetë prezent në Shqipëri në fund të muajit prill, ku kanë mbajtur edhe fjalime, kanë parë frymën dhe mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Ata kanë dhënë edhe mbështetjen e tyre. Në momentin kur ky aktivitet organizohet, është i rëndësishëm sepse, jo vetëm që ne do të kemi mundësi të informojmë partitë për farsën elektorale dhe për atë çfarë ka ndodhur në Shqipëri në zgjedhjet e 11 majit, por gjithashtu do t’i kërkojmë Komitetit Ekzekutiv të CDI-së të mbajë një qëndrim në lidhje me zgjedhjet e datës 11 maj. Ky takim është një mënyrë për të tejkaluar propagandën e Edi Ramës dhe të qeverisjes së tij, e cila paguhet nga paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar”,-tha Vokshi.